E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modernizimi i ushtrisë, Oketa, vizitë në Portugali



Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, zhvilloi një vizitë 2-ditore në Lisbonë, me ftesë të homologut të tij Nuno Severiano Teikseira. Ministri portugez uroi Oketën për anëtarësimin në NATO, duke deklaruar: “Duke pranuar Shqipërinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ne do të kemi më shumë NATO në Ballkan”. Ai nënvizoi faktin se Shqipëria është kthyer në këto vite një faktor shumë i rëndësishëm strategjik stabiliteti e sigurie në Ballkan. Dy ministrat biseduan për shkëmbimin e përvojës për zhvillimin e ushtrisë profesioniste, reformimin e strukturave, modernizimin si dhe shumë fusha të tjera në interes të përbashkët. Në takimin e dy ministrave të Mbrojtjes u trajtuan edhe çështjet e sigurisë rajonale dhe asaj ndërkombëtare. Oketa theksoi se vetëm në disa ditë, Shqipëria do të përjetojë një moment historik, duke u ulur në vendin e anëtarit me të drejta të plota në Aleancë, gjë kjo që do të shënojë jo fundin, por vijimin e një procesi të gjatë, i cili kërkon angazhime të përmasave të reja. Ministri Oketa e falënderoi homologun për mikpritjen dhe vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve në fushën e mbrojtjes. Oketa e njohu homologun e tij me arritjet në zhvillimin e reformave të ndërmarra në fushën e mbrojtjes duke pasur mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, të opinionit publik e tërë spektrit politik. Ai zhvilloi më pas një vizitë edhe në një bazë ajrore të Forcave të Armatosura të Portugalisë. Kjo ishte vizita e parë zyrtare e një ministri shqiptar të Mbrojtjes në këtë vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›