E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maratona “Unë në NATO”, Topalli: Ia dolëm të gjithë



Hyrja e Shqipërisë në NATO ka qenë një maratonë prej dy dekadash dhe, duke simbolizuar këtë “vrapim” të gjatë, kryetarja e Kuvendit organizoi një maratonë vrapimi me nxënësit e shkollave nëntëvjeçare të Tiranës. Vetëm 10 ditë nga anëtarësimi i plotë i vendit në NATO, nxënësit e shkollave mbyllën maratonën si për të treguar se “ia dolëm. “Në fakt, kjo është maratona ”Unë në NATO”, sepse secili prej jush, brenda dhjetë ditëve, do të jetë në NATO. Kjo do të thotë që çdo shqiptar, çdo qytetar, çdo burrë, çdo grua do të ndihet më i sigurt. Ju të gjithë jeni kampionë”, - iu drejtua Topalli qindra fëmijëve të pranishëm. Kryetarja e Kuvendit u shpreh ndër të tjera se maratona e sotme me parullën “Unë në NATO” është maratona që shqiptarët gjatë viteve kanë realizuar dhe kanë dalë kampion. “Kupa që u mor, është kupa që prindërit tuaj marrin në 4 prill në Strasburg-Kehl, ku Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO. Gjëja më e rëndësishme për prindërit tuaj, që fëmijët e tyre në të ardhmen, do të kenë jetën e sigurt, atdheun e sigurt dhe me më shumë shanse”, - tha më tej ajo. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, në vijim të atmosferës festive të fëmijëve, u shpërndau kupat fituesve të maratonës. Më tej, ajo, e shoqëruar nga fëmijët, mbylli aktivitetin e maratonës me një vizitë tek mjediset e Kuvendit të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›