E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, një Shën Valentin ndryshe për të dashuruarit

Qindra të rinj në Kukës kanë ndjekur dje për dy orë pa ndërprerje një koncert live të organizuar nga QKB e bashkisë me rastin e 14 shkurtit, ditës së të dashuruarve. Përveç këngëtarëve vendas ka pasur edhe të ftuar nga Tirana, si dhe nga Prishtina. Me interes janë ndjekur albumet me këngë ritmike të grupeve "Trix" dhe "Fontana", përkatësisht me pikënisje nga Fierizaj dhe Kaçaniku në vitet 70 të shekullit të shkuar. Veli Sahiti, protagonist i grupit "Trix" tregon se muzika e tyre, që në të vërtetë njihet shumë mirë nga dëgjuesit në Shqipëri përmes Radio Prishtinës në atë kohë, lindi si një përpjekje e muzikës shqip për t‘u integruar në rrymën rroken-rrollit botëror që zhvillohej në ato vite. Të rinjtë kuksianë kënduan disa prej këngëve që në vitet ‘90, por edhe më herët, kanë qenë hite të rinisë. Gjithashtu edhe protagonisti i "Fontanës" Osman Shehu nga Kaçaniku thotë se ndihet i lumtur që këndon për rininë e Shqipërisë, e përkatësisht të Kukësit. Në furinë e rroken-rrollit të viteve ‘70, ai dhe dy-tre të rinj nga Kaçaniku të shkolluar për muzikën në atë kohë për muzikën kishin pasur si moto nxitëse: "Pse të mos këndojë edhe shqip kitara e rroken-rrollit?"... Ky ishte koncerti i parë në Kukës ku merrnin pjesë grupe të rroken-rrollit nga Kosova, koncert i cili u ndoq me interes pothuajse ekzaltues nga të rinjtë në ditën e Shën Valentinit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›