E Diel, 1 Nëntor 2026

Qindra tufa mimozash për Shën Valentinin Shqiptar

Festa e Shën Valentinit ka krijuar mënyrën dhe traditën shqiptare të të festuarit. Për 19 vjet me radhë gjatë 14 shkurtit, shqiptarët janë përpjekur të kopjojnë pothuajse të gjitha mënyrat e festimit nga vendet që e kanë pasur traditë këtë festë edhe para viteve ‘90. Tashmë mund të thuhet se Shën Valentini ka hyrë "zyrtarisht" në kalendarin tonë të festave. Pas këtyre viteve, angazhimi për ta festuar atë është edhe më i madh, jo vetëm nga të dashuruarit, por edhe nga shumica e bizneseve.

Festimet kanë nisur dy ditë më parë, kur lokalet janë zbukuruar me tullumbace, pajisje, shirita, fjongo, të gjitha në ngjyrë të kuqe. Po ashtu letrat e zbukurimeve në të gjitha dyqanet e dhuratave kanë qenë të kuqe, kartonët e kuq, kartolinat e kuqe. Edhe mbështjellat e luleve, bliheshin në ngjyrë të kuqe.

Shumica e rrobave që kemi veshur dje kanë qenë të kuqe.

Por jo vetëm kaq, në të vërtetë edhe dëshira për të festuar, për të dhuruar një ditë ndryshe nga të tjerat ka qenë e zjarrtë.

Dhuratat që kanë mbizotëruar, ishin lulet e kuqe, të linjtat, çokollatat, veshje, por në të rrallë edhe ndonjë shishe parfumi.

Kushedi pse, në vendin tonë, supersticiozët thonë se dhurimi i një shishe parfumi për Shën Valentin është një ogur i keq.

Dhuratat

Kushdo që ka dalë ditën e shtunë në kryeqytet, në mëngjes, drekë apo darkë, ka parë dhe kaluar një cikël "vështirësish", tashmë normale në ditën e festës.

Trafik i bllokuar, lokale të mbushura plot, "trafik" njerëzor, trotuare plot me njerëz, aroma të përziera lulesh, në më të shumtën e rasteve harmoni tufash mimozash, trëndafilash, karafilash. Ata që festa i ka gjetur në kushte të vështira ekonomike janë mjaftuar me tufa mimozash, të cilat mund të gjenden lehtësisht në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë. Prenotimet e drekave dhe darkave, shpeshherë jo nën hyqmin e qirinjve aromatikë, kanë mbushur restorantet nga periferia në qendër. Po ashtu edhe lokalet të cilët, enkas me rastin e festës kanë menduar të krijojnë një atmosferë edhe më të ngrohtë për të dashuruarit. Për më të pasurit, të cilët kanë pasur më shumë para, udhëtimet jashtë shtetit, operat, bizhutë e shtrenjta, aksesorët kanë qenë pjesë e dhuratave për njerëzit më të dashur.

Më shumë se asnjëherë këtë vit në kryeqytet, dhuratat më të shpeshta kanë qenë edhe tullumbacet në formë zemrash, të kuqe, dhe derivatet e tyre, si zemrat e bashkuara, shigjetat e Kupidit, për të gjithë të vetmuarit.

Të dashuruarit

Për shumë njerëz, Shën Valentini është një ditë e shënuar, me kuptim e cila festohet në të gjithë botën. Çdo vit në 14 shkurt qindra çifte kurorëzojnë dashurinë e tyre me fejesa, martesa, por edhe me ceremoni të çuditshme të veçanta dhe të dëgjuara shumë rrallë. Në vendin tonë evenimente të tilla nuk mund të përshtaten sipas traditës shqiptare, kjo jo vetëm për mundësitë financiare.

Për një pjesë të tjerë njerëzish Shën Valentini mund të bëhet çdo ditë, çdo çast që ti qëndron pranë njeriut të dashur. Një dhuratë mund të bëhet edhe pa pasur sebepin e Shën Valentinit. Mbase në një ditë të zakonshme, apo në një përvjetor secili mund të festojë Shën Valentinin e tij. Opinione nga më të ndryshmet kemi mbledhur dje rrugëve të kryeqytetit, teksa qindra adoleshentë e të rinj, kanë ngrohur qytetin edhe pse temperaturat ishin tepër të ulëta dhe moti qëndroi përgjatë gjithë ditës i ftohtë. Të tjerë tiranas, kanë përfituar nga foleja e vjetër e çdo Shën Valentini, e çdo feste, Liqeni Artificial i Tiranës. Pakkush nuk ruan në albumin e jetës së tij të paktën një kujtim të vetëm nga mjediset e kodrave të Liqenit, i cili edhe dje ka qenë i mbushur plot. Ndërsa të dashuruarit kanë përfituar nga dita për të qenë më pranë, për të thënë fjalë më të bukura, për të ndenjur më ngrohtë, pemët e Liqenit janë zhveshur nga lulet "shtatanike" të mimozave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›