30 vjet AIDS

“Ky nuk është vetëm ndëshkimi i Zotit për homoseksualët, është ndëshkimi që Zoti u ka dërguar shoqërive që tolerojnë homoseksualët”.
Ishte vjeshta e vitit 1983, kur prifti Jerry Falwell tha në publik atë që shumë e mendonin privatisht: mbi Amerikën mëkatare që kishte pranuar homoseksualët dhe lesbiket në shoqëri, hakmarrja e Zotit kishte shkaktuar një sëmundje të pashërueshme. Zërit të Falwell iu shtuan edhe ata të shumë priftërinjve të krishterë dhe protestantë, imamë dhe njerëz të Kuranit.
Në vitin 1983, sëmundja misterioze po shfaroste lagje të tëra të populluara nga homoseksualët si ‘Castro’ në San Francisko, ‘Village’ në Manhantan apo ‘Dupont Circle’ në Washington. E kësaj sëmundjeje çdo ditë i shtoheshin pacientë të rinj të famshëm si aktorë, artistë, njerëz të famshëm, ndërsa i riu i parë që humbi jetën nga kjo sëmundje ishte kamerieri franko-kanadez Gaetan Dugas.
Në përcaktimin e parë zyrtar që mjekët i dhanë sëmundjes të cilën nuk e kishin hasur kurrë më parë, u shfaq fjala ‘Grids’: Gay Related Imuno Deficiency Syndrome, sëmundje si pasojë e mungesës së imunitetit e lidhur ekskluzivisht me homoseksualët. Forma e rrallë e polmonitit që vriste pacientët ishte “polmoniti gej”, ndërsa forma e rrallë që prekte epidermën ishte quajtur sarkoma e homoseksualëve. Nuk ishte i vogël numri i mjekëve që në atë kohë refuzonin të trajtonin pacientët e prekur nga ‘Grids’.
Do të ishin të nevojshme vite, studime dhe bashkëpunime të frytshme mes virologëve dhe epidemiologëve për t’i dhënë virusit famëkeq emrin me të cilin e njohim sot. Gjithsesi, do të ishte e nevojshme fytyra e zbehtë e një djaloshi 13 vjeç nga Indiana, Ryan White, që ishte infektuar përmes transfuzionit të gjakut, për të prekur një komb të tërë e për t’i bërë ata të besonin se kësaj herë hakmarrja e Zotit nuk kishte lidhje fare me homoseksualët.
Sigurisht që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra dhe sot një i prekur nga AIDS nuk do të thotë domosdoshmërisht se e ka prerë biletën drejt vdekjes, ashtu siç ndodhte në vitin 1981. Frika kolektive u përhap gjithandej për virusin e tmerrshëm, të cilit as vaksinat nuk i bënin dot gjë: ndryshoi zakonet, veset, frikët e shoqërisë, ashtu siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Njerëzit nuk arrinin ta besonin dot se mjekët, ata që kishin ditur të shëronin sëmundje të tmerrshme, të luftonin epidemitë dhe bakteret vdekjeprurëse apo të bënin transplante organesh, nuk ishin në gjendje ta luftonin. Kishte që nga vitet e pandemisë së gripit spanjoll dhe pastaj nga ankthi i poliomielitit infantil në vitin 1952, që një sëmundje nuk kishte ndryshuar zakonet e jetës së përditshme të të gjithë njerëzve. Turma e terrorizuar në ato vite filloi të ngrihej kundër mbylljes së pishinave, sterilizimit të shkollave, shkatërrimit të lokaleve për homoseksualët, përzënies së prostitutave, kur u zbulua se virusi mund të transmetohej edhe mes sekseve të ndryshme.
Pothuajse gjatë gjithë viteve 80 dhe 90, pavarësisht përpjekjeve të administratorëve në çdo pjesë politike dhe bindjes së Ronald Reaganit, më parë i akuzuar për indiferencë kundrejt “sëmundjes së homoseksualëve dhe pastaj i bindur për të vepruar, prindërit e frikësuar deri në palcë i hiqnin fëmijët nga shkollat ku mund të identifikohej qoftë edhe një fëmijë i vetëm që rezultonte pozitiv ndaj virusit HIV.
Tregimet e infermierëve, dentistëve, kirurgëve që ishin prekur nga sëmundja përmes gjakut të ndonjë pacienti të infektuar po lulëzonin nëpër media. Edhe të famshmit, që kishin miliona, nuk mund të bënin gjë. Përpara kësaj sëmundjeje ishin dorëzuar të gjithë. Gazetat tregonin se si kjo sëmundje nga viti në vit po përhapej në çdo cep të globit. AIDS u cilësua si patologjia e dytë më e frikshme pas kancerit, por para sëmundjeve kardiovaskulare, që vazhdojnë të mbeten në vendin e parë për sa i përket numrit të vdekjeve në vit.
Tridhjetë vjet më vonë, mendimi i masës ka ndryshuar. Amerikanët, që dikur e shihnin atë si emergjencën më të madhe shëndetësore, ishin 46 për qind, ndërsa tani janë vetëm 6 për qind. Lajmet që i përkasin sindromit HIV janë reduktuar me 1 të pestën në krahasim me atë të viteve 80-ta dhe studimet e ndryshme shkencore tregojnë se sot të prekesh nga kjo sëmundje nuk do të thotë se e ke vdekjen të sigurt. Koha e mallkimeve ka kaluar.
Shkenca më në fund ka sqaruar se ku dhe kur janë rreziqet e infektimit, sa e rëndësishme është të identifikohet prania e virusit në gjakun e pacientit, përpara se AIDS të shpërthejë, sa e lehtë është të bllokosh zhvillimin, siç ishte rasti i famshëm i basketbollistit Magic Johnson, mbartës i HIV-it tashmë që 20 vjet, pa asnjë simptomë në organizëm. Por, pavarësisht kësaj, edhe ne sot e kemi të vështirë të ecim rrugëve të qytetit ku kjo sëmundje u zbulua për herë të parë, pa e ndjerë paksa frikën, qoftë edhe për pak.