Grushte në Parlamentin shqiptar
Është ndërprerë seanca parlamentare e Parlamentit të Shqipërisë, pas një tendosje të situatës, që ka shkuar deri në përplasje fizike mes deputetëve.
Fillimisht deputeti demokrat, Edi Paloka, i cili ishte duke mbajtur fjalën e radhës, është ndërprerë nga deputetit i PS-së, Paulin Stërkaj dhe më pas është qëlluar me grusht nga deputeti socialist, Armando Prenga.
Seanca ka nisur e tendosur që në minutat e para, pas akuzave reciproke mes deputetëve për ngjarjet e 21 janarit.
Më herët, Patozi akuzoi krye-socialistin, Edi Rama, se po luan me vdekjen e viktimave të 21 Janarit.
Patozi këtë e tha pas akuzave të rivalit socialist, Gramoz Ruçi, se qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për 21 Janarin.
“Unë nuk dua ta identifikoj Partinë Socialiste me atë bandë që sulmoi Kryeministrinë, por me sa ka ndodhur pas 21 Janarit, e kam të vështirë ta ndaj atë nga përpjekja për të marrë pushtetin me dhunë”, tha Patozi.
Ruçi akuzoi sërish qeverinë për vrasjen e 4 demonstruesve të 21 janarit.
Ai gjithashtu theksoi se, demonstrata e 21 janarit nuk ishte puç shtetëror, siç e ka cilësuar kryeministri Berisha, por revoltë e qytetarëve kundër pushtetit të korrupsionit.