SHBA të kushtëzojë ndihmat për Egjiptin
Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme ka mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me implikimet për politikën e jashtme amerikane të ngjarjeve të fundit në Egjipt dhe Liban.
Ekspertët e Lindjes së Mesme thanë se Kongresi dhe administrata e Presidentit Barack Obama duhet t’i dërgojnë një porosi të fortë ushtrisë egjiptiane, se ndihma e mëtejshme amerikane do të varet nga respektimi i të drejtave të protestuesve dhe mbështetja e tranzicionit demokratik nga ana e ushtrisë.
Shumë prej ligjvënësve në seancën dëgjimore lavdëruan egjiptianët që kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshime demokratike dhe që Presidenti egjiptian Hosni Mubarak të japë dorëheqjen.
Kongresisti demokrat, Gerry Ackerman, i bëri thirrje presidentit Obama ta bëjë të qartë se qeveria amerikane është përkrah protestuesve.
“Populli do që të jetë i lirë. Sa kënaqësi është të shohësh se populli nuk po shkel flamurin tonë nëpër rrugë teksa ngre flamurin e vet? Sa frymëzuese të shohësh popullin në atë pjesë të botës gati të vdesë për të ardhmen e fëmijëve të vet, në vend që të dërgojë vetë fëmijët që të vdesin? Populli do që të jetë i lirë. Duhet të radhitemi pa u lëkundur në anën e tyre”, tha Ackerman.
Një nga rolet kryesore që luan Kongresi në hartimin e politikës së jashtme është miratimi ose ndalimi i ndihmës për vendet e huaja.