E Diel, 1 Nëntor 2026

Programin po, buxhetin jo

Galeria Kombëtare e Arteve të Kosovës (GAK) ka publikuar emrat e artistëve të përzgjedhur për të qenë pjesë e programit të saj të vitit 2011. Nga Express më 10 shkurt 2011 në ora 12:24

Sipas kumtesës së GAK, të gjitha kërkesat e artistëve janë trajtuar nga Këshilli Artistik, ndërkaq përzgjedhja është bërë në bazë të kritereve të paracaktuara nga po ky këshill dhe nga drejtori i Galerisë.

Mbi këtë bazë, pastaj, të drejtën për të qenë pjesë e programit të Galerisë Kombëtare të Arteve të Kosovës në vitin 2011, e kanë fituar artistët: Avni Behluli (skulpturë), Afrora Blakqori (grafikë), Nysret Salihamixhiqi (pikturë), Miradie Ramiqi (pikturë), Fatmir Mustafa/Carlo, Bekim Gllogu, Loreta Ukshini, Miranda Thaçi, Lluka Mjeda (fotografi), Budim Berisha (pikturë), Pashkë Pervathi (pikturë), Sabedin Etemi (pikturë), ‘Artistët e së nesërmes’ (Tradicionale), Simon Shiroka (filigran), James Walmsley / Kurator (projekt artistik kushtuar viktimave të luftës në Kosovë -GAK).

Ndërkohë që në kuadër të Koleksionit të GAK, për ekspozim janë përzgjedhur Haxhi Kastrati (pikturë), Burim Myftiu (fotografi), Faton Kryeziu (pikturë), ‘Çmimi Gjon Mili’ (Tradicionale), Lazër Lumezi (filigran), Mentor Ejupi (Instalacion për këngëtarët e folklorit, Salih e Feriz Krasniqi - GAK), Mikel Gjokaj (grafikë e pikturë), Nevzat Kica, nga Maqedonia (pikturë), Majlinda Kelmendi (pikturë), Hysni Krasniqi (grafikë), Gazmend Leka (pikturë), ‘Çmimi Muslim Mulliqi’ (Tradicionale), Zini Veshi (pikturë) dhe Visar Mulliqi (pikturë).

Mirëpo, përkundër përpilimit të programit komplet për vitin 2011, meqë Galeria edhe përkundër kërkesës ende nuk e ka të caktuar buxhetin e saj vjetor, realizimi i këtyre projekteve do të varet krejtësisht nga shuma e ndarë për realizimin e programit vjetor të këtij institucioni, nënvizon drejtori i GAK, Fahredin Spahia.

“Nëse buxheti nuk do të jetë i mjaftueshëm për të ‘përthekuar’ të gjitha këto projekte, atëherë disa nga to mund të zhvendosen për realizim në vitin 2012”, pohon ai.

Nga ana tjetër, sipas Spahisë, këtyre projekteve, gjatë vitit 2011, do të mund t’iu bashkëngjitet dhe ndonjë ekspozitë e artistëve të huaj, një kërkesë kjo që do të mund të arrijë në GAK nga ndonjë ambasadë në Prishtinë. “Natyrisht, nëse bëhet fjalë për ndonjë ekspozitë serioze dhe interesante për publikun tonë”, përfundon Spahiu.

E, ndarja e buxhetit për GAK, të paktën gjykuar nga ritmi me të cilin po shkohet drejt krijimit të institucioneve të vendit, sigurisht që do të pres të paktën edhe dy muaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›