E Shtunë, 31 Tetor 2026

30 vjet burg për trafikun e heroinës drejt Italisë

Fajtorë për trafikimin e 17.5 kg heroine nga Shqipëria drejt Italisë. Ky ka qenë vendimi i djeshëm i Gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj Shpëtim Hushit dhe Petrit Xhepës, të cilët i ka dënuar respektivisht me nga 14 dhe 16 vite burg. Sipas trupit gjykues, me provat e paraqitura, pavarësisht se të pandehurit janë deklaruar si të pafajshëm, është arritur që të vërtetohet akuza e ngritur nga prokuroria.

Hushi dhe Xhepa u arrestuan në janar të vitit të kaluar, pasi i pari u ndalua në Portin e Durrësit me sasinë prej 17.5 kg, që e kishte fshehur në makinën e tij tip "Audi". Sipas akuzës, Hushi kishte ardhur nga Italia dhe kishte siguruar së bashku me Xhepën heroinën, të cilën e kishin futur në serbatorin e makinës dhe më pas Hushi ishte nisur sërish drejt Italisë. Tashmë ata do të vuajnë së bashku 30 vjet pas hekurave të burgut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›