Tekstet alternative, botuesit "në dorë" të mësuesve
Në ditët e fundit të vitit shkollor, mësuesit janë përfshirë në debate të ashpra për përzgjedhjen e teksteve shkollore. Prej datës 5 qershor, botuesit kanë dërguar librat që ata kanë përgatitur këtë vit. Nuk janë pak, por 169 tekste alternative. "Për secilën lëndë ka minimumi tre libra alternativë", bën të ditur për "Shqip", drejtori i botimeve në ministri, Agim Duka. Sipas tij, mësuesi duhet të zgjedhë njërin nga këto botime të njërës prej shtëpive botuese. Këto të fundit kanë futur "miqtë" e tyre nëpër shkolla. Në bazë të përzgjedhjes që bëjnë mësuesit varet edhe tirazhi i tyre në shtator. Ndaj edhe roli i mësuesit tani është mjaft i rëndësishëm. "Është bërë me votim të fshehtë përzgjedhja e teksteve në shkollën tonë", bën të ditur Manjola, mësuese në gjimnazin "Petro Nini Luarasi". Sipas saj, pas debateve të gjata nuk u ra dakord në katedër ndaj edhe teksti u zgjodh me votim të fshehtë. Në shumë raste, tekstet që zgjidhen orientohen edhe nga drejtorët e shkollave, nëndrejtorët apo funksionarë të tjerë në drejtim të arsimit. Gjithsesi, mësuesit janë ata që firmosin dhe që duhet të zgjedhin librin me të cilin do të punojnë. Ata nuk kanë asnjë lloj kornize, ku duhet të bazohen, kështu zgjedhja është totalisht e lirë. Ministria e Arsimit nuk ka përcaktuar asnjë kriter. Sipas drejtorit, Duka, mësuesi duhet të shohë tekstin, nëse i duket i përshtatshëm për të punuar me të, duhet të zgjedhë më të mirin e mundshëm mes alternativëve". "Për ne si ministri të gjithë ata që janë të certifikuar kanë vlera të barabarta", shtoi ai. Mësuesit kishin 10 ditë kohë për të vendosur ose të paktën ky ishte afati zyrtar, pasi jo të gjithë botuesit kanë dërguar në kohë bocetet e tyre nëpër shkolla. Gjithsesi, data e dorëzimit është e vendosur më 15 qershor. Të gjithë botuesit do të shkojnë nëpër shkolla për të parë nëse kanë qenë të preferuarit e mësuesve apo jo. Një bilanc me tekstet e zgjedhura bëhet edhe nga drejtoritë arsimore të çdo rrethi. Janë në garë 24 botues këtë vit, të cilët kanë nxjerrë në treg plot 169 tekste alternative. Më shumë sesa nga emri i shtëpive botuese, mësuesit priren në zgjedhjen e tyre nga emrat e autorëve që kanë shkruar librat. Për çdo lëndë ekzistojnë 3 ose më shumë variante librash nga botues të ndryshëm. Këtë vit, janë pajisur me tekste të reja edhe klasat e 5-ta dhe të 9-ta, sipas sistemit të ri të studimeve. Reforma e Altertekstit u implementua për herë të parë në vitin 2006 dhe synoi liberalizmin e tregut të librit. Një vit më parë, kjo reformë hasi në vështirësi për shkak të subvencionit. Paratë që duhet t‘u ktheheshin prindërve për librat e fëmijëve nuk u morën në kohë dhe në sasinë e duhur. Ndërsa për sa i përket kohës së shpërndarjes, ndryshe nga vitet e tjera, botuesit kanë dërguar librat në çdo cep të vendit. Më parë, nxënësit merrnin lëndët me shënime deri në mesin e vitit shkollor.