E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet gjermane do kurojnë 300 pacientë shqiptarë

Plot 300 pacientë çdo vit do të kenë mundësinë të marrin shërbimin shëndetësor në spitalet gjermane. Mundësi të tjera specializimi apo bashkëpunimi me mjekët gjermanë do të kenë edhe specialistët shqiptarë. Madje, për ta do të ketë edhe lehtësim të mëtejshëm të procedurave për pajisjen me vizë në ambasadën gjermane. Lajmi është konfirmuar dje, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme mes palës gjermane dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Titullari i këtij institucioni, Nard Ndoka, dhe Motër Diethilde Bovingloh, përfaqësuese e fondacionit "St. Franziskus Stiftung Münster" në Gjermani, nënshkruan dje marrëveshjen e bashkëpunimit në shëndetësi. Pala gjermane do të lehtësojë vizita të shkurtra të shkencëtarëve, kërkuesve dhe specialistëve të tjerë në fushën e shëndetësisë, me qëllim shkëmbimin e eksperiencës. Palët kontraktuese ranë dakord, që një numër jo më i madh se 300 pacientësh shqiptarë të mund të kurohen çdo vit në spitalet e fondacionit "St. Franziskus Stiftung Münster". Procedura e dërgimit të pacientëve do të jetë ajo e aplikuar edhe në rastet e të sëmurëve të dërguar në shtete të tjera, në varësi nga sëmundja, gjendja shëndetësore e të sëmurëve dhe mundësitë e spitaleve shqiptare për trajtimin e këtyre sëmundjeve.

Pala gjermane theksoi se do të akordojë, sipas legjislacionit gjerman, një numër të arsyeshëm bursash për mjekët shqiptarë, me qëllim që të marrin specializim mjekësor. Ky specializim do të kryhet në spitalet e fondacionit "St. Franziskus-Stiftung". Ajo do të kontribuojë, brenda mundësive, nxitjen e programeve arsimore për grupe të ndryshme profesionale në spitalet shqiptare, si për infermiere, për shërbimin mjekësor, për nëpunësit e administratës shëndetësore dhe ekonomike. Së treti, pala gjermane do të bëjë të mundur marrjen e vizave për pacientët shqiptarë në një kohë sa më të shkurtër, maksimumi 2-3 ditë, pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›