TIK-Shkollat e Shqipërisë në epokën dixhitale
Ky shkrim synon të informojë lexuesin për ecurinë e projektit madhor të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që është ai i TIK- shkollave ose i shkollave me teknologji të informacionit dhe të komunikimit. Deri më sot, 44% e nxënësve të arsimit bazë 9-vjeçar, pra 44% e afro 500 mijë nxënësve kanë në shkollat e tyre TIK-kabinete, apo kabinete informatike, ku mësohet përdorimi i kompjuterit, i internetit dhe i teknikave dixhitale. Deri vitin e kaluar asnjë shkollë e arsimit bazë 9-vjeçar nuk ishte pajisur me TIK-kabinete. Objektivi i ministrisë është që brenda vitit 2008 të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar të pajisen me TIK-kabinete dhe të furnizohen me internet. Që nga dhjetori i vitit të kaluar, 100% e nxënësve të arsimit të mesëm (afro 140 mijë) kanë tashmë TIK-kabinete në shkollat e tyre. Në vitin 2005 vetëm 7% e nxënësve të arsimit të mesëm e kishte këtë mundësi. Është një detyrim i madh i yni që teknologjinë e informacionit ta përdorim në çdo sferë të jetës. Dhe këtë mund ta bëjmë duke investuar për teknologjinë, kompjuterët, rrjetet, duke aplikuar atë me shumë përdorime, por të tëra këto masa, nuk do të jenë të suksesshme nëse ne nuk edukojmë të rinjtë e këtij vendi me aftësitë e duhura për të përdorur kompjuterët, internetin, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Pa e realizuar këtë, ne nuk mund të themi se Shqipëria ka hyrë në shek 21. Dhe prandaj në fund të vitit 2005 qeveria shpalli projektin e madh të TIK-shkollave, dhe prej atëherë, një punë e madhe konceptuale, studimore, operative është realizuar. Është rasti për të falënderuar PNUD-in për asistencën, donatorët, si: qeverinë italiane dhe kineze që kanë dhuruar shumë për këtë program. Është rasti për të shënuar një bashkëpunim të rëndësishëm me sektorin privat shqiptar, sepse ndryshe nga më parë, disa kompani private janë shquar në bamirësi, duke dhuruar një numër, për ta jo të vogël, TIK-kabinetesh. Por duke theksuar se pjesa e luanit për përmbushjen e këtij premtimi, pra për pajisjen e shkollave të mesme me TIK-kabinete është përballuar nga buxheti i shtetit. Pas përfundimit të kontratës me furnizues interneti në TIK-shkollat tona do të jetë 24 orë në 24 me internet. Ato do të jenë një vatër trajnimi e komunitetit lokal për përdorimin e kompjuterit dhe internetit. Duhet të shtoj se ky program nuk është thjesht për praninë e kompjuterëve në klasat tona, por është edhe një rishikim e modernizim i kurrikulës së teknologjisë dhe informacionit, pra jo ato tekste të ngarkuara me gjuhë programimi, që e kishin vendin më shumë në ndonjë shkollë të lartë sesa në gjimnazet tona. Sot kemi një kurrikul të krahasueshme me atë që bën Evropa dhe Amerika e Veriut. Dhe e reja është që kemi parashikuar që lëndën e informatikës ta bëjmë edhe në arsimin bazë në klasën 7 deri në klasën e 9, në një formë të përshtatshme për nivelin e asaj moshe. Për këtë duam patjetër edhe mësues të trajnuar dhe programi i trajnimit të mësuesve të lëndëve të përafërta si matematikë dhe fizikë po avancon dhe prioriteti që u kemi dhënë projektit TIK-shkolla është shënuar edhe me bonusin e veçantë në pagë që mësuesit e kësaj lënde kanë marrë qysh nga viti 2006. Përveç kësaj, këtë vit ne synojmë të përfshijmë në shkollat tona edhe mësimdhënien virtuale, pra në kompjuterë të mos mësojmë thjesht word-in, excel-in, e-mail-in por edhe lëndë si: historia, gjeografia, fizika, kimia etj., që këto lëndë të mund të paraqiten në mënyrë pamore, të vizualizuara, në DVD dhe të projektuara në mur, duke ngjallur kështu imagjinatën e nxënësve dhe duke bërë më të lehtë absorbimin e koncepteve abstrakte, jo gjithmonë të lehta".