E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serise A nis te mendoje per perforcimet ne merkaton e janarit

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga hapja e merkatos së janarit, skuadrat e mëdha në Serinë A italiane kanë nisur të planifikojnë përforcimet për gjysmën e mbetur të sezonit. Negociata, dëshira por edhe diskutime për akorde paraprake, që do të kristalizohen vetëm në hapjen zyrtare të periudhës së transferimeve.
Milani është një prej skuadrave më aktive. Kuqezinjtë kërkojnë të afrojë në ekip emra “big” për të mbrojtur titullin kampion, ndërsa më i diskutuari është Karlos Tevez. Në Itali janë të bindur se argjentinasi është fare pranë transferimit te “djalli” për rreth 28 milionë euro, ndërsa ky afrim do të bënte që të binin alternativat Fernando Torres dhe Maksi Lopez. Filipo Inzagi mund të largohet, klubi ka bërë të ditur se El Sharaui do të qëndrojë, ndërsa Robinjo ka hedhur poshtë hipotezën Santos. Milani pret edhe përforcime në mesfushë, ku synohen Krasiç, Montolivo e Xho Kol, ndërsa alternativa janë edhe Palombo e Keita.
Juventusi është gati të shesë Tonin, Amaurin dhe Lakuintën dhe me paratë e përfituara synohen afrimi i Borrielos, që duket fare pranë, ndërsa së fundmi në skenë ka dalë edhe Fernando Torres. Kaseres duket drejt rikthimit te bardhezinjtë, ndërsa qarkullojnë edhe emrat e Aleks, Palombos, Leali, Huan Hezus e Damiano. Ëndrra mbeten Higuain dhe Gëtce.
Interi synon të realizojë investime të rëndësishme në janar, ku në krye të listës qëndron Zhuan i Internacionalit të Porto Alegres, gjithashtu synohen Lukas dhe Kasemiro të San Paolos. Mes alternativave janë Vertoghen në mbrojtje dhe Guarin, Vargas, Krasiç, Gomez, Marko Marin e Xhejms Rodriguez në mesfushë. Nga Argjentina vijnë lajmet për interesimin rreth Lavecit, me negociatat që do të nisin në qershor, në rast se Napoli nuk do të arrinte të kualifikohej në edicionin e ardhshëm të Champions League.
Roma beson te projekti i Luis Enrikes, ndërsa pasiguritë më të mëdha lidhen me të ardhmen e zv.kapitenit De Rosi. Verdhekuqtë po studiojnë goditjen angleze, ku në krye të listës është Bejl, me alternativa që janë Korluka, Uollkër, Sandro, Luka Modriç, Glen Xhonson e Bejns. Gjithashtu po studiohen edhe mundësitë për afrimet e Uvinit, Okampos, Okakas, Gastaldelo apo Azpokuleta nga Olimpik Marseja.
Duke qëndruar në kryeqytetin italian, Lacio po punon për të mbajtur Xhibril Cisenë, por për sulmin drejtori sportiv Igli Tare ka disa alternativa, nga Lukas Podolski, duke kaluar te Ivica Oliç e deri te Filipo Inzagi. Në listën e preferencave janë edhe Kuzmanoviç dhe kroati Kranjcar.
Udineze kërkon përforcime në mesfushë, ku nga skuadrat italiane objektivat janë Parolo, Mudingaji e Karmona, ndërsa nga ligat e tjera synohen Feranandes i Leiçesterit e Mariga i Real Sociedadit, por në pronësinë e Interit. Interesim ka edh për Kevin Ani të Soshosë, por edhe Dos Santos i Totenhemit.
Pasi ka siguruar Eduardo Vargas, Napoli interesohet edhe për Simplision, Sullei Muntarin, Gaitan, ndërsa ëndrra është Baloteli. Por, napolitanët duhet të luajnë edhe në mbrojtje, pasi së fundmi po përflitet për një ofertë me vlerë rreth 100 milionë euro për Kavanin e Hamshik.
Për momentin të gjitha janë ide dhe hipoteza merkatoje, e duhet pritur deri në fund të janarit për të parë se çfarë do të ndodhë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›