E Diel, 1 Nëntor 2026

“300 milionë lekë kredi çuan biznesmenin në litar”

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Gjendja e rëndë depresive, e shkaktuar pas humbjes të të gjitha të ardhurave, detyroi Gjergj Shehun t i japë fund jetës

Biznesmeni i vetëvrarë dy ditë më parë në Tiranë kishte marrë 30 milionë lekë kredi në dy banka të nivelit të dytë. Pasi ka shënuar vetëm humbje në bilancin e tij tregtar, 43-vjeçari ka marrë një kredi prej 15 milionë lekësh. Por duket as kjo shumë nuk i ka mjaftuar për të rimëkëmbur aktivitetin, duke e detyruar kështu të marrë një tjetër kredi me të njëjtën vlerë, duke e çuar kështu detyrimin ndaj bankave në 30 milionë lekë. Por kjo shumë nuk i ka shërbyer biznesmenit për të dalë nga kriza, e cila e ka shtyrë drejt falimentit. Shpallja e falimentimit të biznesit, detyrimet e konsiderueshme si ndaj bankës dhe ndaj kreditorëve të tjerë, kanë shtyrë 43-vjeçarin Gjergj Shehu t i japë fund jetës. Të paktën këto janë motivet që kanë dalë pas hetimeve paraprake të punonjësve të policisë. Por edhe deklarimet e familjarëve për llogari të hetimit kanë çuar efektivët blu në të njëjtën pistë hetimi.
Borxhet
Hetimet e policisë kanë evidentuar deri më tani 30 milionë lekë borxh, të tërhequra në formën e kredisë nga dy banka të nivelit të dytë, nga biznesmeni i vetëvarur dy ditë më parë në Tiranë.
Gjergji Shehu, 43 vjeç, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në banjën e banesës së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së martës në zonën e ish-bllokut, saktësisht pranë shkollës nëntëvjeçare Edit Durham”. Burime nga policia pohojnë se 43-vjeçari Shehu jetonte bashkë me familjen e tij në një hyrje pallati. Sipas burimeve policore, ai prej kohësh merrej me biznes, tregtonte materiale ndërtimi. Për shkak të rënies së xhiros, biznesi i tij ishte në prag falimentimi, dhe biznesmeni për të mbajtur gjallë biznesin e tij kishte marrë edhe një sasi monetare borxh tek disa miq të tij për të shtuar mallin në dyqan e për të shmangur në këtë mënyrë falimentimin. Por edhe pse veprimet e tij për të mbajtur biznesin e hapur ishin të vazhdueshme, sërish çdo gjë po shkonte drejt falimentimit. Sipas burimeve policore, mësohet se familjarët e tij kanë pohuar se, prej kohësh, 43-vjeçari kishte paraqitur një gjendje të rëndë psikike, por nuk u kishte treguar për probleme të tjera.
Familjarët
Familjarët e tij janë marrë në pyetje nga grupi i hetimit menjëherë pas mbërritjes së tyre në banesën e viktimës. Sipas informacioneve, viktima është gjetur i varur me rripin e mesit tek dritarja e banjës. Burime nga policia bëjnë të ditur se gjatë deklarimeve familjarët janë shprehur se asnjë prej tyre nuk kishte ndier zhurmë. Pas disa minuta kërkimesh, 43-vjeçari është gjetur i varur në dritaren e tualetit me rripin e tij të pantallonave. Më pas ata kanë tentuar t i japin ndihmën e parë mjekësore dhe kanë lajmëruar edhe policinë pasi e panë që çdo ndihmë ishte e kotë. Sipas personave që e rrethonin viktimën, ai njihej si një njeri i qetë dhe shumë familjar, që shikonte vetëm punën e tij. Por kohët e fundit, për shkak të humbjeve të mëdha, ai kishte paraqitur një tip shumë të mbyllur.
Ky lajm është publikuar: 26/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›