E Diel, 1 Nëntor 2026

Fiton Muça, gëzimi i besimtarëve zgjati vetëm një ditë

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e dy prej anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar për paligjshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të ri të komunitetit. Sipas vendimit të gjykatës, marrë dje, Selim Muça do të jetë në krye të komunitetit deri në përfundim të procesit gjyqësor, duke rrëzuar sigurimin e kërkesëpadisë.
Vendimi
Në seancën e djeshme në sallë kanë qenë të pranishëm të dyja palët, si ajo kërkuese, e përfaqësuar nga avokati Isuf Shehu, dhe pala e tretë, e përfaqësuar nga juristi pranë Komunitetit Mysliman, Selfo Dosti. Pasi ka tërhequr regjistrin e OJF-ve pranë gjykatës, trupi gjykues ka bërë edhe verifikimet përkatëse, duke pohuar në sallë se ky regjistër përbëhet nga 6 fashikuj me praktikat për çdo ndryshim të bërë gjatë zgjedhjeve dhe ndryshimeve të vazhdueshme. Pasi ka vënë në dukje verifikimin e regjistrit, gjykatësja ka pohuar se ai do të rikthehet sërish pranë regjistrit të OJF-ve në gjendjen e mëparshme pa bërë asnjë lloj pezullimi. Gjykatësja ka dëgjuar të dyja palët dhe ka pohuar se kërkesa e bërë nga paditësit është joligjore dhe jo e plotë. Gjykata gjatë arsyetimit të vendimit arriti në përfundim se kërkesa është bërë në kundërshtim me nenin 202 të Kodit Civil, për shkak se nuk plotësohet asnjë nga kërkesat e parashikuara në këtë dispozitë. Sipas vendimit të gjykatës, tashmë do të jetë trajtimi me themel i çështjes ai që do të përcaktojë për kërkesën e bërë prej dy anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.
Përplasjet
Seanca e djeshme është shoqëruar me përplasje të forta mes përfaqësuesve të dy grupimeve. Gjykatësja u ka tërhequr vëmendjen dy avokatëve, për sjellje të pahijshme dhe anashkalimin e normave juridike, duke kaluar në çështje personale. Sipas palës mbrojtëse, kërkesa e bërë nga dy anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman është e pabazuar në ligj. Sipas avokatit Dosti, kjo kërkesë është në kundërshtim me nenin 919, pasi njoftimi për mbledhjen është realizuar dhe ai ia ka arritur qëllimit të tij. Gjithashtu, sipas Dostit, kërkesa është në kundërshtim me nenin 202, pasi mbledhja nuk do të ishte brenda rregullave, nëse nuk do të kishte pjesëmarrje, ndërkohë që realisht aty ka pasur mbi 90% të anëtarëve. Dosti e ka argumentuar mbrojtjen e tij duke thënë se nëse do të bëhet pezullimi i Selim Muçës atëherë Komuniteti do të ketë probleme se nuk mund ta drejtojë askush komunitetin në marrëdhënie me të tretë dhe këtë të drejtë e ka vetëm kryetari.
Kërkesa
Ndërkaq pala kërkuese ka insistuar edhe një herë te kërkesa e tyre duke pohuar se Komuniteti mund të drejtohet edhe nga Këshilli i Përgjithshëm. Sipas kërkuesve, kjo procedurë që është ndjekur për realizimin e mbledhjes në Kavajë dhe riemërimi i kryetarit të ri, i ka sjellë një dëm shumë të madh Komunitetit, dhe nëse nuk do të bëhet pezullimi i menjëhershëm, atëherë dëmet e mëvonshme do të ishin më të rënda. Në Gjykatën e Tiranës, sot ishin të pranishëm edhe me dhjetëra besimtarë të tjerë, ata ishin të moshave të ndryshme dhe kanë kërkuar që nga gjykata të vihej drejtësia në vend.

KMSH: “Kryetari është i ligjshëm”

Komuniteti Mysliman Shqiptar ka dalë dje në një komunikim për mediat, duke pohuar se zgjedhja e kryetarit ka qenë e ligjshme. Sipas kësaj deklarate, zërat e qarkulluar në media një ditë më parë kanë qenë të pabaza, pasi gjykata vendosi për ligjshmërinë e mbledhjes dhe zgjedhjes së kryetarit. Gjithashtu, në këtë deklaratë, komentohet edhe kërkesa e bërë nga dy anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për pavlefshmërinë e mbledhjes. Sipas deklaratës kjo kërkesë është e pabazuar në ligj dhe është tepër e dëmshëme për komunitetin. Sipas tyre mbledhja e bërë në Kavajë, në datën 21 mars dhe zgjedhja e kryetarit ka qenë brenda procedurave, pasi të pranishëm kanë qenë mbi 2/3 e anëtarëve, çka i jep legjitimitetin kësaj mbledhjeje.

Zekaj: “Dialogu, rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve”

Dr.Ramiz Zekaj, drejtor i Institutit Shqiptar tё Mendimit dhe Qytetërimit Islam, ka pohuar se dialogu është rruga e vetme për të zgjidhur problemet mes Komunitetit Mysliman. Dialogu ndërmjet myslimanëve shqiptarë, i domosdoshëm dhe rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve. “Debatet e tanishme midis myslimanëve shqiptarë i konsideroj si situatё të dialogut të munguar, përderisa askush nuk ka marrë iniciativën për të ulur palët e konfliktit në tavolinën e rrumbullakët, edhe pse ballafaqimet sa vijnë e ndizen më shumë, ndёrkohё qё sinjalet pёr paqe janё tё pakta. Dialogu është përvojë e kahershme e njerëzimit, si domosdoshmëri për t i përcjellë njëri-tjetrit idetë, mendimet dhe përvojat. Me dialog njerëzit kanë gjetur rrugën e përbashkët të progresit, si dhe gjuhën e mirëkuptimit. Vetëm nëpërmjet dialogut janë eliminuar konfliktet dhe keqkuptimet midis njerëzve. Si kulturë komunikimi dhe përpjekje për mirëkuptim e bashkëveprim reciprok, dialogu edhe midis shqiptarëve ka funksionuar dhe ndihmuar në vendosjen e bashkëveprimit.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›