E Diel, 1 Nëntor 2026

300 ndërtime të paligjshme, gati për legalizim

 

LEGALIZIMET/ Shpallen listat për objektet që presin legalizimin. Objektet e përfunduara presin miratimin

SARANDË - Agjencia e Legalizimit në Sarandë shpalli listat për 300 objekte që presin legalizimin. Këto lista u afishuan pranë sporteleve të hapura në shërbimin postar, ku edhe kryhen pagesat nga ana e qytetarëve. Gëzim Raca, përgjegjës i kësaj zyre, thotë: “Jemi në fazëne përgatitjes së dokumentacionit grafik të objekteve që do të legalizohen dhe i kemi paraqitur ato pranë Kryeministrisë për miratim”. Janë 300 objekte të përfunduara që presin miratimin nga sektori përkatës, i ngarkuar me këtë detyrë në Kryeministri. Mbështetur në nenin 17 të ligjit “Për legalizimet”, çdo objekt që miratohet për legalizim, nuk i kalon 500 metra katror. Faza e tanishme në të cilën ndodhet procesi, është ajo e pagesës brenda një muaji të tarifës nga ana e qytetarëve që janë pajisur me këtë formular. Më vonë do të kalohet në pagesat e truallit mbi të cilin është ndërtuar objekti informal. Mandej do të bëhet llogaritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila ka një afat 30-ditor. Për të gjitha objektet e kualifikuara për legalizim, në kuadrin e bashkëpunimit me Zyrën e Pasurive të Paluajtshme, është caktuar edhe numri i regjistrit të objektit. Pagesat vazhdojnë në filialin e postës, duke arritur deri tani në rreth 200, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›