500 foto ekspozitë për Enverin në Berat
100-VJETORI/ Edhe qyteti mijëvjeçar përfshihet nga “ethet” e përvjetorit të lindjes së ish-diktatorit
BERAT- “Jemi ne besnikët e Enverit”. Kjo ishte një nga parullat e shumta me të cilat u zgjuan banorët e qytetit të Beratit mëngjesin e 16 tetorit. Parulla në fasada muresh, rrugësh, shkollash e institucionesh ishin shkruar gjatë natës, ndërsa kalimtarët kanë sjellë edhe një herë ndërmend festën e fëmijërisë: datëlindjen e xhaxhit Enver. Përveç shkrimeve, nën drejtimin e ish-deputetit të Partisë Komuniste, Maksi Hasani, në Berat u hap një ekspozitë me fotografitë e Enver Hoxhës. Në të, sipas Hasanit, është pasqyruar jeta e Enverit, nga nxënës në liceun e qytetit të Korçës dhe deri në momentet e fundit të jetës. Ish-deputeti komunist tha se fotot ishin përzgjedhur në një arkivë nga një grup anëtarësh e simpatizanësh të Partisë Komuniste. Ekspozita, e cila u çel mëngjesin e djeshëm, do të vazhdojë të qëndrojë e hapur edhe për periudhën në vazhdim për vizitorët e vendit dhe të huaj, si dhe për anëtarë dhe simpatizantë të PK-së. Ish-deputeti komunist bashkë me një grup prej 50 anëtarësh morën pjesë në ceremoninë e 100-vjetorit të ditëlindjes së ish-diktatorit. Hasani, përveçse pranoi autorësinë e parullave të shkruara gjatë natës në muret e qytetit, u shpreh se do të mblidhnin fonde për të rindërtuar parullën e shkruar në malin Shpirag. “Parulla të tilla nuk kanë për t’i munguar kurrë qytetit të Beratit”,- përfundoi Hasani. D.Jaho