E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekohej për depresion, vdes nga polmonet 28-vjeçari

VDEKJA/ Nuk dihen arsyet e vdekjes së të riut, i cili ndërroi jetë mesnatën e së mërkurës në spitalin e Vlorës

VLORË - Një 28-vjeçar ndërroi jetë mesnatën e së mërkurës në spitalin rajonal të Vlorës. Ermal B., banues në Vlorë, mësohet se vuante prej 8 vjetësh nga një sëmundje depresive dhe kurohej me ilaçe. Sipas shpjegimit të familjarëve, gjatë gjithë kësaj kohe ai pinte rregullisht dy tableta, por megjithëse i ka marrë rregullisht ilaçet, ai është ndier keq dhe ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve. Ndërkaq, pritet autopsia për të gjetur shkaqet.

Ngjarja

Familjarët e viktimës sqaruan se mbrëmjen e së mërkurës, Ermali piu si zakonisht dy tabletat e përshkruara nga mjeku, mjekim të cilin e merrte prej tetë vjetësh. Por menjëherë më pas, çuditërisht, atij i nisën komplikacionet. Të afërmit u shprehën se 28-vjeçari nisi të nxirrte shkumë nga goja dhe të kishte probleme, gjë që bëri që të dërgohej menjëherë në spitalin rajonal të qytetit. Dhënia e ndihmës së parë ka rezultuar e kotë pasi i riu nuk mundi të shpëtonte. Pas verifikimit të vdekjes së Ermalit, bluzat e bardha u shprehën se shkak dyshohet të jetë një sëmundje polmonare. Burimet nga spitali thanë se ndihma që iu dha 28-vjeçarit nga mjekët, në prezencë edhe të familjarëve të tij, ishte maksimale, por rikuperimi i tij ishte i pamundur. Megjithatë, gjithçka pritet të sqarohet nga autopsia.

Precedenti

Nuk janë të pakta rastet në të cilat, pas mjekimeve për një sëmundje, pacienti të vdesë nga një sëmundje tjetër. Një rast i tillë ndodhi kohë më parë me një prokuror, rast i cili u ndoq edhe penalisht. Megjithatë, deri më sot, janë të rrallë bluzat e bardha që janë penalizuar për papërgjegjshmëri në punë, çka ka bërë që shpesh njerëzit t’i drejtohen “vetëgjyqësisë”, siç ishte edhe rasti më i fundit i një neurologu, po në spitalin e Vlorës.

-------------------------------------Qese “anonime” në shkollë

Helmohet mësuesja e tre nxënëse

KURBIN – Helmohen në shkollë një mësuese dhe tre nxënëse. Ngjarja ndodhi dje në shkollën e fshatit Gorre të rrethit të Kurbinit. Burimet zyrtare të policisë u shprehën se punonjësi i policisë që shërben në shkollën e mesme të fshatit Gorre mori një njoftim rreth orës 10:30 se tre nxënëse të vitit të tretë dhe një mësuese po shfaqnin shqetësime. Katër personat kishin dhimbje koke, turbullime, që çonin në dyshimet se në ambientet e shkollës mund të ishte hedhur ndonjë lëndë helmuese. Rreth një orë më pas, policia e mbërritur në vendngjarje ushtroi kontroll në të gjithë ambientet e shkollës. Në katin e parë të saj ata gjetën dhe sekuestruan një qese plastmasi me mbishkrimin “kardpond”. Burimet e policisë u shprehën se qesja ishte e prodhimit kinez dhe mbi të kishte mbishkrime në gjuhën italiane, ku thuhej “mos e prek” dhe “mos e hap, se ka efekt turbullues”. Dyshohet se qesja ka qenë edhe shkak për shqetësimet që iu shfaqën mësueses dhe tre nxënëseve. Ato u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin civil të Laçit e më pas për ndihmë më të specializuar në Spitalin Ushtarak, në kryeqytet. Mësohet se tashmë katër shtetaset janë jashtë rrezikut për jetën. Katër personat e helmuar: Rake Vata, mësuese; Esmeralda Vuthi, Rudina Vata, Diana Ndoj, nxënëse në shkollën e fshatit Gorre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›