E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e doktoraturave, mbyllen dy fakultete

ARSIMI/ Ndër gjithë pedagogët e Fakultetit të Infermierisë, vetëm njëri rezultonte që ishte me doktoraturë

Rektori i universitetit u shpreh se pritet që rekrutimi i pedagogëve të rinj ta ndryshojë situatën për fakultetet

ELBASAN- Reshtin ekzistencën e tyre dy nga fakultetet e Universitetit të Elbasanit, duke iu bashkuar kështu fakulteteve të tjera. Një “fat” të tillë pati Fakulteti i Shkencave Sociale, i cili iu bashkua Shkencave të Edukimit. E njëjta gjë ndodhi edhe me Fakultetin e Infermierisë. Lidhur me këtë fakt, rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi, deklaroi se mbyllja e dy fakulteteve është bërë pasi numri i doktoraturave në to ishte shumë i vogël. “Ndër 16 pedagogë të Infermierisë, ekzistonte vetëm një doktoraturë”,- tha Varoshi. Edhe me Fakultetin e Shkencave Sociale ndodhi po kështu. Këto degë nuk arritën të marrin as masterin e nivelit të parë. “Ne do të mundohemi që brenda këtij viti, me rekrutimin e pedagogëve të rinj, të tërheqim elementët e kualifikuar, duke i dhënë përparësi këtyre degëve, theksoi rektori, duke vazhduar se shpresojnë që “situata do të ndryshojë brenda vitit që vjen”. “Do të mendojmë një zgjidhje tjetër për degë të cilat nuk mund të qëndrojnë përbri fakulteteve të tjera”,- u shpreh Varoshi, duke cituar rastin e degës së gazetarisë, e cila, sipas tij, nuk mund të jetë degë e Fakultetit të Edukimit. “Rritja cilësore e profesoratit është qëllimi ynë për t’i mbështetur degët që kanë pasur mungesë të theksuar në këtë drejtim, tha rektori”. Universiteti i Elbasanit ka aktualisht rreth 400 kuota të lira në fazën e tretë. Tre degë janë shpallur të hapura: gjermanishtja, frëngjishtja dhe matematikë-fizika. Sipas rektorit, numri i studentëve që do të fillojnë rishtazi vitin akademik pas kësaj faze, do të shkojë në 2040.

Aplikimi për master të nivelit të parë

Universiteti i Elbasanit, për herë të parë pas 6 vitesh të sistemit të Bolonjës, po aplikon masterat e nivelit të parë në të gjitha degët e mësuesisë. Konfirmimi ka ardhur për Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Shkencave Humane, për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ndërsa pritet konfirmimi zyrtar për degën Edukatë Qytetare. Ky proces, i cili do të startojë në 17 tetor (sot) me plotësimin e formularit të aplikimit nga studentët që dëshirojnë të vazhdojnë këtë nivel, do të çelë edhe një fazë të re për “Aleksandër Xhuvanin”. Rektori Varoshi deklaroi se veç masterave të nivelit të parë, profesoriati i Elbasanit ka aplikuar për 7 programe diplome të nivelit të dytë, për të cilat pritet të konfirmohen 4 profile. “Kjo fazë,- sipas tij, -do të thotë zhvillim dhe konsolidim, duke i hapur rrugë madje, realizimit të masterit të nivelit të dytë dhe doktoraturës”. Gjithashtu, Universiteti i Elbasanit pritet të kërkojë, nëpërmjet një projekti që po hartohet nga profesorati, edhe akreditimin e kualifikimit të mësuesve nga e gjithë Shqipëria, duke marrë profilin që i takon në rrugën e Normales.

Masterat, kuotat dhe tarifat

Universiteti i Elbasanit propozoi si tarifë për masterin e nivelit të parë shumën 40 mijë lekë të reja. Sipas rektorit, studentët që duan të vazhdojnë këtë master, duhet të tërheqin një formular aplikimi pranë sekretarive përkatëse, të plotësojnë atë dhe të presin miratimin e kuotave nga Ministria e Arsimit. Në rast se kuotat që do të vijnë, do të jenë të njëjta me kërkesat, atëherë do të pranohen të gjithë aplikuesit. Në rast të kundërt, ky proces do t’i nënshtrohet përzgjedhjes në bazë të pikëkrediteve dhe kritereve që do të përcaktohen për këtë qëllim. Aplikimet fillojnë në 17 tetor, për t’u mbyllur brenda 7 ditëve. Studentët kanë vetëm një javë kohë për të aplikuar për master të nivelit të parë në degët gjuhë-letërsi, histori-gjeografi, anglisht, frëngjisht, italisht, biologji-kimi, matematikë-fizikë, matematikë-informatikë, ndërsa pritet miratimi për degën e edukatës qytetare.

Pedagogët e rinj, edhe nga bankat

Rektori Varoshi sqaroi procesin e rekrutimit për 25 pedagogë definitivë dhe për pedagogë të jashtëm në Universitetin e Elbasanit. Varoshi tha se në procesin e përzgjedhjes dhe intervistimit do të bëjnë përjashtim për studentët që mbarojnë rishtaz dhe që janë të shkëlqyer. “Vetëm ata që e mbarojnë universitetin me mesatare 10 do të kenë të drejtën të pranohen në stafin akademik pa iu nënshtruar kompeticionit, kritereve dhe intervistës që aplikon universiteti. Të gjithë të tjerët do t’i nështrohen kritereve si: mesatarja, përvoja në punë, gjuhët e huaja të mbrojtura, titujt, studimet, botimet shkencore etj. Këtë vit janë rreth 500 aplikime për pedagogë, por ne nuk do të pranojmë as 25, në rast se nuk do të plotësojnë kriteret që kemi vendosur. Vetëm kështu mund ta rrisim cilësinë dhe kualifikimin e pedagogëve. Pedagog nuk mund të bëhet kushdo dhe ne kemi nevojë për një kontigjent të kualifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›