31 pikat e ujit të pijshëm në monitorim, pastrimi i depozitave pikë delikate
Me ardhjen e vapës dhe temperaturave të larta, të cilat bëhen shkaktar i shumë sëmundjeve, Autoriteti Shëndetësor Rajonal ka marrë masat mbi ujin e pijshëm. Kështu, çdo ditë dy laboratorë të ndryshëm kryejnë analizat për 31 pika fundore, që gjenden në të gjithë kryeqytetin. "Për të pasur një situatë të mirë dhe të qëndrueshme të ujit të pijshëm, ASHR bashkëpunon me Drejtorinë e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve, kryen monitorimin e përditshëm në 31 pika fundore të ujësjellësve.
Për çdo ditë, merren dhe analizohen 31 pikat fundore të tubacioneve të qytetit, dy herë në muaj depot dhe pus-shpimet, ujësjellësit e fshatrave, si dhe Impianti i Bovillës", ka pohuar drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj. Sipas tij, inspektorët sanitarë kryejnë analizimin e këtyre mostrave të marra vazhdimisht pranë laboratorit në Drejtorinë e Shëndetit Publik, duke bërë dhe krahasimin me analizat, të cilat bëhen nga vetë ujësjellësi, me qëllim mbajtjen në parametra normale të pastërtisë së ujit dhe nivelin e klorit. "Në çdo rast që në konstatomë ndotje, kjo i bëhet e ditur Ujësjellësit dhe ky i fundit, është i detyruar të marrë masa të menjëhershme si dhe të kryejë ndërhyrjet e duhura në rrjet. Nga ana tjetër ne duhet të pranojmë që në Tiranë, një pjesë e madhe e rrjetit është e amortizuar dhe herë pas here ka rrjedhje apo çarje të tubacioneve dhe për këtë arsye, kemi edhe ndotje të ujit në disa zona", ka nënvizuar Gecaj. Këto të fundit kanë detyruar ASHR-në, për marrjen e masave në mënyrë që të sigurojnë ujë të pastër për kryeqytetasit gjatë kësaj Vere. Por, ajo që theksojnë specialistët e Shëndetit është pastrimi i depozitave të ujit, pasi nuk mund të sigurojnë ujë të pastër dhe të klorinuar.