E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës tallet me fëmijët, minikëndet relike të lagjeve

Këndet e lodrave, pjesë e projektit Dua të luaj, mashtrim i radhës nga Bashkia e Tiranës. Të gjithë fëmijëve të kryeqytetit ju premtua se brenda një viti në të gjithë Tiranën do të ndërtoheshin 100 kënde sportive, ku çdo lagje do të kishte këndin e vet sportiv. Shpresa dhe lumturia e këtyre fëmijëve nuk zgjati për shumë kohë që nga momenti i premtimit. Në kohën kur u ndërtuan këndet e para sportive në disa lagje të kryeqytetit u vu re se ato nuk mund të quheshin kënde sportive por minikënde apo më mirë kënde në miniaturë. Secili prej tyre nuk nxinte më shumë se pesë apo gjashtë fëmijë, ndaj atyre nuk u mbetej gjë tjetër veçse të loznin me grafik duke krijuar situata qesharake. E keqja më e madhe ishte se këto kënde brenda një jave u kthyen në jofunksional pasi cilësia e tyre ishte shumë e dobët dhe u shkatërruan me prekjet e para të topave. Pas disa kohësh këto minikënde u kthyen si relike të lagjeve dhe si një pamje dëshpëruese për fëmijët e atyre zonave. Çështë më e keqja, këto kënde ju zunë edhe atë pak hapësirë që gjendej tek tuk në zonat e banimit ku ata mund të loznin me njëri tjetrin.
kënde lojërash në miniaturë edhe në kopshte dhe çerdhe
Këndet e lojërave për fëmijë nuk zhgënjyen vetëm fëmijët në lagjet e tyre por edhe ato të kopshteve dhe çerdheve. Nga Bashkia e Tiranës u premtua që ashtu si në zona të ndryshme banimi do të kishte kënde lojërash do të kishte edhe në kopshte dhe çerdhe. Edhe këto ambiente patën fatin e keq duke u pajisur me minikënde. Megjithëse këto investime mbanin firmën e investimeve të Bashkisë në të vërtetë ajo nuk bëri gjë tjetër veçse preu shiritat e inaugurimit. Fondet për këto hapësira u dhuruan nga shoqata bamirësie ose nga subjekte private të cilët i përdorën si një reklamë e mirë për biznesin e tyre. Ndërkohë që të gjithë qytetarët paguajnë për çdo ditë taksa në zyrat e bashkisë dhe minibashkive por që as edhe një herë nuk ju rikthyen në shërbime të mira publike, veçse në shërbime të shëmtuara dhe jofunksional.
Tirana, i vetmi kryeqytet në Evropë pa kënde lojërash
Fëmijët e kryeqytetit nuk kanë, ku të luajnë. Në të gjithë Tiranën ka vetëm një kënd lodrash, i cili nuk është i mjaftueshëm për të plotësuar kërkesat e një qyteti me 1 milion banorë. Të vegjlit janë të kushtëzuar për sa i përket hapësirave të tyre dhe prindërit e tyre nuk kanë as edhe një mundësi zgjedhje. Çdo fundjavë, ata janë të detyruar që ti marrin fëmijët në xhirot e pasdites. Bashkia e Tiranës është institucioni që me ligj duhet tiu krijojë fëmijëve hapësirat e përshtatshme që ata të kalojnë disa orë argëtuese, por në këtë drejtim ajo nuk ka bërë asgjë. Pushteti vendor në kryeqytet, jo vetëm që nuk i krijon hapësira të reja, por edhe ato ekzistuese i dëmton dhe i zvogëlon ditë pas dite, duke mos u kujdesur fare. E në kushte të tilla, fëmijët kryeqytetas janë të detyruar që të luajnë në mes të rrugëve, të rrezikuar në të gjitha anët nga makinat e shumta. Tashmë prej vitesh, hapësirat e fëmijëve janë fshirë nga harta e Tiranës, duke i lënë fëmijët pa argëtim.
Kënde lodrash vetëm nga privati                                                                                                
Mungesa e këndeve të lojërave në kryeqytet po shfrytëzohet më së miri nga pronarët e lokaleve. Në shumë prej tyre janë krijuar ambiente të veçanta, të pajisura me lodra të thjeshta, ku fëmijët mund të argëtohen, gjatë kohës që prindërit pinë diçka. Por për shkak të mungesës së hapësirave, këto ambiente janë të vendosura ngjitur me tavolinat e të rriturve, ku konsumohet alkooli e cigarja. Aty ku fëmijët luajnë, prindërit pinë kafen e shoqëruar edhe me gotat e pijeve. Kjo ndodh, pasi ata nuk kanë se ku ti dërgojnë tjetër fëmijët e tyre. Megjithëse fëmijët janë të rrezikuar nga prania e alkoolit dhe e cigares, këto lokale vazhdojnë të zhvillojnë aktivitetet e tyre, madje të bëhen edhe shumë popullore. Tani, thuajse në çdo vend në kryeqytet mund të gjenden këto ambiente. Manjola Paja, një mama, e cila ndodhej e ulur në tavolinën e një lokali, ku kishte edhe një kënd lodrash shprehej se: Kam ardhur këtu se nuk kam se ku ta dërgoj fëmijën tim ku të luajë, pasi këtu në Tiranë nuk ka ndonjë kënde të mjaftueshme lodrash. Është vetëm një, ku fluksi i fëmijëve është i madh. Unë nuk mund të gjykoj këto lokale, në të cilët konsumohen pijet dhe cigarja që janë aq të dëmshme për fëmijët, pasi në fund të fundit ky është biznesi i tyre. Madje, unë në një farë mënyre i falënderoj që më kanë krijuar një ambient ku fëmija im mund të argëtohet. Ajo që ka për detyrë të krijojë hapësira për të vegjlit, siç është Bashkia, nuk e ka bërë deri më tani përkundrazi i ka zvogëluar deri në maksimum edhe ato që kanë qenë.

Last Updated on Tuesday, 16 June 2009 15:40

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›