E Diel, 1 Nëntor 2026

Kursyen 133 milion lekë, qendrat ambulatore në plan të dytë

Instituti i Sigurimeve e të Kujdesit shëndetësor ka bërë të ditur se rreth 400 qendra shëndetësore deri tani kanë mbledhur 133 milionë lekë. Këto fonde në plan të parë do të favorizojnë mjekët duke ju rritur atyre pagat dhe në plan të dytë do të shpenzohen për qendrat ambulatore. Ajo që vihet re është lënja mënjanë e këtyre qendrave të cilat kanë nevoja emergjente për ti rikonstruktuar si dhe për ti pajisur me aparaturat dhe medikamentet e nevojshme.
Investimi në qendrat shëndetësore në plan të dytë
Të ardhurat dytësore që realizojnë qendrat shëndetësore në vend do të përdoren në masën më të madhe për të plotësuar nevojat e tyre në fushën e investimeve. Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) miratoi sot vendimin mbi përdorimin e të ardhura dytësore në rreth 400 qendra shëndetësore që funksionojnë në vend. "60 % e të ardhurave dytësore të realizuara nga qendrat shëndetësore do të përdoren për investime të nevojshme në këto qendra, 20 % për mallra e shërbime dhe 20 % të tjera për paga e shpërblime të personelit", tha drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana në një konferencë për shtyp pas miratimit të këtij vendimi. Sipas saj, "rreth 400 qendra shëndetësore deri tani kanë mbledhur 133 milionë lekë, të cilat do të përdoren në funksion të shërbimit shëndetësor, sipas ndarjes së mësipërme". Në këtë mënyrë, vijoi znj. Hana, ISKSH synon stimulimin e personelit mjekësor, por njëherësh rritjen e cilësisë së shërbimit për popullatën.
Rritja e pagave të personelit shëndetësor
Pagat e personelit të shërbimit shëndetësor në vend, atij parësor dhe spitalor kanë pësuar rritje të konsiderueshme pas vendimit të Këshillit të Ministrave. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Parësor ka përllogaritur dhe dërguar për zbatim vendimin e fundit të qeverisë që nga data 1 maj 2009, ndërsa efektet financiare do të përballohen nga ISKSH. Në total, nga rritja e pagave në kujdesin shëndetësor parësor që nga data 1 maj, përfitojnë 9300 punonjës. Mjekët e Familjes përfitojnë 17% rritje të pagave në kujdesin parësor dhe deri në 21 % për mjekët-specialist. Sipas të dhënave nga ISKSH-ja, sot, paga mesatare për një mjek në qendrat shëndetësore, së bashku me dy paga shpërblim në vit, bëhet 60.000 lekë në muaj. Rritja më e lartë është parashikuar për mjekët që mbulojnë zonat qendrore, me 16.3 %, në zonën fushore rritja është 11.2 %, në atë kodrinore 9 %, ndërsa mjekët e zonave malore përfitojnë rritje 7 % dhe të zonave të thella malore 4 %. Konkretisht, një mjek në zonën qendrore, me ngarkesë normale 2000 banorë, me vjetërsi pune 25 vjet dhe që kryen 12 vizita në do të, do të paguhet me një pagë mujore bruto rreth 47 000 lekë, ndërsa një mjek në zonat malore e të thella malore, që kryen 6 vizita në ditë, do të paguhet me një pagë mujore 79.000 lekë. Nga kjo rritje përfitojnë rreth 1 700 mjekë familjeje, me një efekt financiar 8-mujor për mbi 82 milion lekë. Rritje të konsiderueshme përfitojnë rreth 300 mjekë specialistë, paga mesatare e të cilëve bëhet 48.500 lekë nga 40.000 lekë që ishte, me një rritje prej 21 % dhe efekt financiar total për rreth 24 milion lekë. Paga e personelit të infermieristik në total ka një rritje rreth 13 %. Nga 1 maji, pagat e infermierëve me arsim të mesëm profesional bëhet 32.000 lekë, nga 28.400 lekë që ishin, e infermierëve me arsim të lartë bëhet 35.000 lekë, nga 32.000 lekë që ishin, ndërsa pagat e kryeinfermierëve arrijnë në 38.000 lekë, nga 34.500 lekë më parë. Po kështu, rritje rreth 14 % pësojnë edhe pagat e infermierëve me arsim 8-vjeçar, ndihmës infermierëve me kurse infermierie, të cilët arrijnë pagën 29.000 lekë, nga 25 400 lekë më parë.    Nga kjo rritje përfitojnë mbi 6700 infermierë, me një  efekt financiar deri në fund të vitit 2009 rreth 186 milion lekë. Për personelin ekonomist dhe personelin tjetër (shofer, sanitarë, etj) është parashikuar një rritje mesatare prej 10 % e pagave, ose me një efekt financiar deri në fund të vitit 2009 rreth 15 milion lekë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›