Deklaratat fyese ndaj gegërishtes, e gjithë Shkodra kundër Bamir Topit
Gjuhëtarët: Makiavelizëm dëshira për të denigruar gegërishten
Presidenti i Republikës Bamir Topi vazhdoi edhe sot në mënyrë të paturpshme të thellojë akuzat dhe fyerjet ndaj gegërishtes. Kreu i shtetit, i cili në rastin konkret e ka të tepërt këtë epitet, është kthyer në sindrom të përçarjes dhe devalvimit të nivelit kulturor dhe qytetar të Shkodrës dhe dialektit gegë. Sot Bamir Topi, përmes një deklarate për shtyp nga zyra e informacionit të Presidencës, tha se akuzat e tij ishin për kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Sipas tij, çdo interpretim tjetër është jorealist dhe i sponsorizuar nga zyrtarë të veçantë. Por, si e kanë pritur shkodranët fyerjen publike të Presidentit të Republikës? Përgjigja është e thjeshtë. Reagimet e para kanë ardhur nga shkrimtarët e Shkodrës. Shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Fadil Kraja e quan makiaveliste dëshirën e vazhdueshme për të denigruar gegërishten nga njerëz, ku ai përfshin dhe Presidentin e Republikës. Kraja shton më tej, se këto janë deklarata fyese për gjithë shkodranët. Ndërkaq, edhe pedagogu i Gjuhë-Letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Erzen Koperaj, është shprehur se gegërishtja duhet të respektohet. Nga ana tjetër, një grup të rinjsh nga Shkodra protestuan me pankarta në duar ku citoheshin vargjet e At Gjergj Fishtës, Pashko Vasës, Migjenit, Martin Camajt, Ernest Koliqit etj, kanë protestuar siç u shprehen ata ndaj “gjenocidit që po i bëhet dialektit geg”. Në një deklaratë të lexuar nga Bernardeta Syku, u tha se ky është vetëm fillimi i një reagimi qytetar. Ata kërkuan që presidenti të tërheqë publikisht deklaratat e tij. “Jemi këtu në mbrojtje të vlerave të çmuara që intelektualë dhe artistë kanë shkruar në dialektin gegërisht. Në mbrojtje të faktit, që gjuha jonë e çmuar ka shkruar historinë e këtij vendi, i bëjmë thirrje të gjithë atyre që në mënyrë të turpshme po krijojnë gjenocid ndaj kësaj gjuhe. Këto janë vlera që as presidenti s’mund t’i dengrojë dhe i bëjmë thirrje të ndalë gjenocidin ndaj gjuhës tonë. Ky është vetë fillimi i reagimit qytetar”- u shprehën të rinjtë në protestën e zhvilluar dje në Shkodër. Në deklaratën e tij, Presidenti i Republikës e quajti gjuhën që flitet nga thuajse gjysma e popullsië shqiptare, si gjuhë jo korrekte, ndërsa përdori dialektin gegë si mjet për të sulmuar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Shkrimtari Fadil Kraja
Gjuhëtarë dhe letrarë e quajnë fyese deklaratën e Presidentit të Republikës Bamir Topi, kundër dialektit gegë. Shkrimtari i njohur shkodran Fadil Kraja, u shpreh se kreu i shtetit u bë pjesë e korit fyes ndaj më shumë se gjysmës së popullsisë shqiptare që flasin këtë dialekt, i cili është edhe baza e gjuhës së sotme shqipe. “Këtë deklaratë e ka pas dhënë deputeti, i cili ishte nënkryatr bashkie, një Shalsi, dhe kjo vazhdë për mua është e ndyrë. Filluan edhe të tallen për gjuhën, për legjendat tona, edhe për Skënderbeun. Më vjen keq që për këta, çdo gegë që e dëgjojnë e quajnë malok, ka rënë edhe Presidenti. Plot 5/7 e shqiptarëve, që nga malet e Sharrit e deri në Shkumbin, flasin gegënishtes. Pra, nga Struga, gjithë shqitarëet e Maqedonisë, të Kosovës, Malit të Zi dhe prej Vermoshit e deri në Shkumbin, flasin gegënishten”- u shpreh Kraja. Sipas tij, presidenti Topi ka fyer kulturën dhe historinë shqiptare. Gëgënishtja ka formuar bazat e para të gjuhës shqipe. Formula e Pagëzimit, dokumenti i parë ka qenë në gegënisht. Janë gegë ata që vunë bazat e letërsisë shqipe Buzuku, Budi, Bardhi dhe Bogdani. Po i lëmë këta të tjerët si Fishta e me radhë. Është i lidhur kultura shqiptare me gegënishten, historia e gjuhës shqipe. Kush e formoi alfabetin e gjuhës shqipe? Ishin gegë që e formuan, kryetari ishte Fishta”- deklaroi më tej shkrimtari, Fadil Kraja. Ndërkaq, edhe pedagogu i Gjuhë-Letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Erzen Koperaj, është shprehur se gegërishtja duhet të respektohet. Sipas tij, deklarata e kreut të shtetit është fyese. “Duhet më shumë respekt ndaj këtij dialekti. Ata që e flasin gegënishten kanë të drejtë, sepse është dialekti më të cilin ka nisur të shkruhet shqipja, është dialekti që është lëvruar më shumë dhe ka përfaqësuar kulturën e mirëfilltë shqiptare që prej 1555-ës e deri në 1954-ën”- tha ai. Gjuhëtarët dhe letrarët thonë se në këtë mënyrë, Presidenti i Republikës u bë pjesë e dëshirës makiaveliste, për të denigruar gegërishten
Qendra Kulturore “Pjetër Gaçi”
Ndërsa Qendra Kulturore “Pjetër Gaçi” në Shkodër, në një reagim të saj përmes një deklarate, shprehet se Topi duhet t’u kërkojë falje shkodranëve dhe Shkodrës, pasi deklaratat e tij janë të padenja për pozicionin e kreut të shtetit. “Kërkojmë me forcë tërheqjen publikisht të deklaratave fyese ndaj dialektit shkodran, me të cilin penat e arta që Shkodra ka nxjerrë në shekuj, stolisën gjuhën shqipe! Për 50 vjet rresht, do horra të tjerë që t’i i dekoron “për kontribute të shquara” e i propozon për në majën e sistemit të drejtësisë, u përpoqën t’ia ndërrojnë gjuhën Shkodrës, dhe hynë deri në vorr për të zhduk deri edhe eshtrat e atyre që shkruan vargje të pavdekshme, por Shkodra është prapë aty, zonjë krenare për traditën”- thuhet në deklaratën e qendrës “Pjetër Gaci”.
Më tej, në këtë deklaratë thuhet se shkodranët e kanë humbur besimin tek presidenti i republikës, i cili sipas tyre mbështetjen, votën dhe besimin e Shkodrës anti-komuniste dhe të qindra mijëra demokratëve, e shpërdoroi paturpësisht për katër vjet, dhe e hodhi me dorën e tij kundër tyre më 8 maj.