KFOR: Nesër do heqim barrikadat e vendosura në Veri të Kosovës

Barrikadat e vendosura në Veri të Kosovës, mund të hiqen në fillim të javës. KFOR-i ka bërë të qartë se që prej të hënës, do të shfrytëzojë rrugët tokësore për të furnizuar trupat e saj ushtarake në pikat kufitare në veri të vendit. Sipas një komunikate për media të KFOR-it, Komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Drees pas takimit me përfaqësuesit e veriut të Mitrovicës, Zvecanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit ka kërkuar që kalimi në rrugët e vendit të mos pengohet nga askush. “Takimi është mbajtur në atmosferë shumë konstruktive. Të dyja palët pranuan të drejtën e lirisë së lëvizjes për popullsinë e gjithashtu edhe për KFOR-in, EULEX-in dhe të tjerët.
Megjithatë, nuk u arritën rezultate konkrete sa i përket largimit te barrikadave rrugore”- thuhet në komunikatë. Komandanti i KFOR-it i informoi përfaqësuesit e komunave të Veriut se duke filluar nga dita e hënë, ai synon të fillojë furnizimin e trupave te KFOR-it nëpërmjet rrugëve në Portën 1 (Jarinjë), Pikën 31 (Bërnjak) dhe Kampin Nothing Hill dhe që të mos pengohet nga askush. “Nëse popullsia lokale nuk ka pasur mundësinë e hapjes së bllokadave rrugore gjate kësaj fundjave, atëherë KFOR do ta beje këtë te hënën ne mënyre paqësore, në mënyrë që të lehtësojë kalimin e autokolonës së automjeteve inxhinierike”- përfundon deklarata.
Megjithë, rezistencën e paralajmëruar të serbëve për të larguar barrikadat, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha se “serbet jo vetëm që nuk i kanë larguar barrikadat por, ata kanë bllokuar edhe një nga rrugët e veriut”.
Megjithatë, Hoti shtoi se situata e sigurisë në veri të Kosovës është e qetë dhe nën kontroll.