Fabrika e vdekjes, plan për ta ndërtuar në Berzhitë
TIRANË - Tragjedia e Gërdecit ndoshta mund të kishte ndodhur fare pranë Tiranës e pikërisht në fshatin Berzhitë. Ashtu si Gërdeci një opsion tjetër i mundshëm për ndërtimin e fabrikës së demontimit të predhave luftarake ishte dhe Bërzhita. Këto dy variante u shtruan në tavolinën e punës të një grupi ekspertësh shqiptar dhe të huaj, të cilët duhet të përzgjidhnin vendin ku duhet të kryhej demontimi i predhave. Sipas prokurorisë, që veç të tjerash po heton dhe përgjegjësitë e personave që caktuan Gërdecin si vendin ku do ngrihej kjo ndërmarrje e rrezikshme, rezulton se një vend i tillë u përzgjodh në bazë të një studimi që zgjati disa kohë. Aktualisht prokuroria ka mundur të zbulojë se ishte Ministria e Mbrojtjes ajo që vuri në dispozicion të kompanisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc” vetëm këto dy zona, pa lënë asnjë mundësi tjetër zgjedhjeje. Në ndihmë të një përfundimi të tillë kanë ardhur dhe dëshmitë e tre të ndaluarve, të cilët thanë se ndërtimi i fabrikës diskutohej mes Bërzhitës dhe Gërdecit. Varianti i parë ra, pasi grupi ekspertëve e cilësoi si një vend të pa sigurt, pasi vendi ku mendohej të ndërtohej fabrika ishte fare pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan, me një terren fushor, i cili nuk siguronte asnjë lloj mbrojtjeje për zonat përreth në rast të ndonjë shpërthimi të mundshëm. Ndërsa varianti i Gërdecit rezultoi më i pranueshëm, pasi ndodhej në mes tri kodrave, të cilat do të pengonin sadopak përhapjen e rrezikut në zonat përreth në rast të ndonjë fatkeqësie të mundshme. Edhe pse fare pranë autostradës Tiranë-Durrës dhe aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, ekspertët vendosën të përzgjedhin këtë fshat për ndërtimin e depos nga kompania “Albademil”. Sipas prokurorisë thuhet se diskutimet e dy varianteve të mundshme janë bërë në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila ka dhënë dhe lejen përkatëse për zgjedhur mes dy varianteve, Bërzhitës dhe Gërdecit.