35-vjeçari plagos veten me pushkë pa leje
Një 35-vjeçar është vetëplagosur me armë zjarri, ndërkohë që policia e ka dërguar për ndjekje penale për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Baldushk në Tiranë, kur Bujar Ll., ka qenë duke pastruar pushkën e tij. Sipas të dhënave nga policia, rreth orës 21:30, në spital është paraqitur i vetëplagosuri dhe menjëherë mjekët kanë njoftuar shërbimet e policisë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu të Komisariatit Nr.1, që kanë marrë në pyetje të dëmtuarin, por edhe familjarët e tij. Nga marrja në pyetje, policia ka zbuluar se 35-vjeçari ishte plagosur në banesë me një pushkë automatike, “model 56”. Menjëherë në banesën e tij është ushtruar kontroll, ku është gjetur dhe sekuestruar arma. Bashkë me të, policia ka gjetur një krehër me 13 fishekë. Në këto kushte, i dëmtuari është dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë, për shkak të gjendjes shëndetësore, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe përdorim të armëve luftarake.
#