Gjykatat e rrethit sulmojnë apelet: Po na prishin në masë vendimet
Gjykatat e rrethit sulmojnë gjykatat e apeleve për prishjen e vendimeve dhe moszbardhjen e tyre në kohë. Gjykata e Pogradecit ka “akuzuar” Apelin e Korçës, Gjykata e Fierit është ankuar për Apelin e Vlorës dhe Gjykata e Shkodrës për apelin e të njëjtit qytet. Të dhënat janë publikuar dje nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, gjatë analizave të disa gjykatave veriore të Shqipërisë. Spahiu, në fjalën e tij, ka përgëzuar punën e kryer në sintezë të kësaj analize nga Gjykata Shkodër, ku në mënyrë të detajuar janë grupuar dhe argumentuar shkaqet e cenimit të vendimeve nga shkalla e dytë, si në çështjet civile, ashtu dhe ato penale. “Këto informacione janë një punë e mirë argumentuese, që bëjnë oponencë ligjore ndaj qëndrimit të Apelit Shkodër, i cili, po shprehem figurativisht, ‘vuan nga të njëjtat simptoma’ si gjykatat e tjera të shkallës së dytë”, tha nënkryetari i KLD-së. Spahiu ka deklaruar se Gjykata e Fierit është ankuar rregullisht prej disa vitesh ndaj praktikave me dy standarde të Gjykatës së Apelit Vlorë. Gjykata Pogradec është ankuar për disa probleme mbi çështjet me objekt “vërtetim fakti juridik të qenies në marrëdhënie pune” ndaj qëndrimit që mban Gjykata e Apelit Korçë. Gjykata e Rrethit Shkodër është ankuar për një sërë problemesh të praktikave jouniforme të Gjykatës së Apelit Shkodër në çështje ku konfliktet lindin me Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore apo me zyrën vendore të pasurive të paluajtshme. “Ka dhe një sërë debatesh të kundërta ligjore mes rrethit dhe apelit lidhur me ligjin procedural civil apo penal. Më ka bërë përshtypje prishja e vendimit të Rrethit Shkodër në një çështje penale, pasi ‘diskutimi përfundimtar i mbrojtësit të të pandehurit është konsideruar i paargumentuar dhe është shkelur e drejta për mbrojtje efektive’. Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar rëndësinë e mbrojtjes efektive ndaj të pandehurit, por ju ftoj të bëni kujdes. Gjykata duhet të garantojë mbrojtjen dhe jo të bëjë mbrojtjen”, tha Spahiu, duke shtuar se është i rëndësishëm konfrontimi i debatit juridik ndërmjet niveleve të gjykimit. Më tej shtoi se “kam konstatuar që gjykatat e mëdha në shkallë të parë, në kërkesat me objekt caktim të masës së sigurimit, kanë politikë penale më të rëndë sesa apeli respektiv, ku të njëjtat rrethana vlerësohen ndryshe”. Më tej shtoi se gjyqtarët e shkallës së parë nuk e ndryshojnë mënyrën e vlerësimit dhe mbeten po aq “të ashpër”. Nënkryetari i KLD-së tha se është e nevojshme për të diskutuar mbi standardizimin e disa problemeve procedurale të riparueshme, pa cenuar pavarësinë funksionale të gjyqtarit, rast pas rasti të provave dhe ligjit. Spahiu shprehu rëndësinë e një politike serioze penale të gjykatave tona ndaj atyre veprave penale që nuk janë thjesht shoqërisht të rrezikshme, por reflektojnë kriminalitet të lartë dhe lënë gjurmë të forta, siç janë specifikisht ato lidhur me korrupsionin e funksionarëve publikë.
Dje KLD-ja ka vendosur gjyqtarët e rretheve Shkodër, Pukë, Kukës, Tropojë përballë Gjykatës së Apelit Shkodër, në lidhje me mendimet juridike të kundërta, të cilat shoqërohen me praktika të diferencuara në gjykatat më të larta për të njëjtën natyrë konflikti. Pasoja është cenimi i vendimeve në gjykatat më të ulëta. Nënkryetari i KLD-së tha se në analizat me gjykatat nën juridiksion të apeleve Durrës, Vlorë dhe Korçë është sugjeruar mundësia e takimeve të përbashkëta mes gjykatave respektive të të dyja niveleve, me besimin se konsultimi juridik mes specialistëve të së drejtës sjell vetëm të mira për të gjithë ata.
#