Braçe: Qeveria po bën veshin e shurdhët
Deputeti socialist i Qarkut të Beratit, Erjon Braçe, ka deklaruar dje se qeveria po neglizhon situatën e rëndë të krijuar nga shkarja e dherave në këtë qark. Në një konferencë për shtyp, Braçe ka deklaruar se: “130 kilometra rrugë rurale në të gjithë qarkun janë në gjendje të mjerueshme dhe kanë paralizuar krejtësisht jetën e banorëve të tyre, duke paralizuar arsimin, shërbimin shëndetësor, si dhe furnizimin me ujë të pijshëm”. Më tej ai ka sqaruar se situata bëhet dhe më e vështirë në kushtet kur njësitë vendore që janë të prekura nga këto probleme nuk kanë mundësi të ndërhyjnë, pasi granti i akorduar nga qeveria për këtë vit është 30 deri në 40 milionë më i vogël se një vit më parë. “Njësitë vendore kanë shpenzuar të gjitha fondet e tyre të emergjencave dhe tashmë nuk kanë asnjë mundësi financiare për të ndërhyrë. Ndërkohë, qeveria bën veshin e shurdhët dhe nuk duket askund. Jo vetëm që nuk po ndërhyhet nga ana e saj me fonde, por asnjë inspektim nuk po bëhet për të parë realisht se çfarë po ndodh në fshatrat dhe komunat e këtij qarku. Kur do të vijë qeveria kur të bjerë lagjja pas atyre dherave që përfunduan në rrugë nga kodra e Mangalemit apo kur të bjerë kalaja”, ka nënvizuar Braçe.
#