Përmbytja, ushtria rikthehet në Shkodër
Zgjerohet harta e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës. Pas izolimit të fshatit Obot, gjendja dje ka qenë shqetësuese edhe në fshatin Ashtë të Bushatit, që shtrihet buzë lumit Drin.
Rrjedha e fortë e këtij lumi, që ditët e fundit është shtuar edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve, ka gërryer tokën. Për pasojë, rrjedha e lumit aktualisht është vetëm pak metra larg oborreve të shtëpive, ndërkohë që në disa objekte tashmë ka nisur gërryerja e themeleve nga forca e ujit.
Më shumë se nga përmbytja, banesat e kësaj zone rrezikojnë shembjen e themeleve. Ndërkohë, mësohet se forcat e ushtrisë kanë nisur çmontimin e disa bunkerëve të mëdhenj që ndodhen në këtë fshat për t’i përdorur më pas si pritë dhe devijuar sa më shumë rrjedhën e lumit që gjithnjë e më shumë po u afrohet shtëpive.
Njëri prej banorëve të zonës, Sandër Kola, duke folur për gazetën “Shqip”, thotë se: “Uji është shumë pranë shtëpisë ku jetoj, vetëm 5 metra larg. Problem është fakti se rrjedha po merr me vete dheun dhe rrezikojmë të na shkatërrohen themelet. Jemi të frikësuar. Fëmijët kanë frikë të qëndrojnë në shtëpi. Problemi tani nuk është përmbytja, por rreziku i shembjes së shtëpisë. Ushtria po punon shumë, por mendoj se tani është vonë dhe uji po përparon me shpejtësi”.
Ndërsa akoma më rishtuese duket situata kur shikon fëmijë të fshatit Ashtë, për të cilët që nga koha e përmbytjes i vetmi “argëtim” ka mbetur qëndrimi mbi pjesët e bunkerit, që janë vendosur për të pritur ujin.
Ndërsa drejtues të shtabit të emergjencës në Shkodër, duke folur për gazetën thanë se, situata është shqetësuese në të gjithë zonën e Nënshkodrës. Fshati Ashtë paraqitet me probleme, por gjithçka është në varësi të reshjeve të shiut. “Nëse do të ketë sërish reshje dhe niveli i ujit të lumit Drin do të rritet do të jemi të detyruar t’i evakuojmë banorët, sepse qëndrimi është me rrezik për jetën”, tha një nga anëtarët e Shtabit të Emergjencave.
Në të gjithë zonën në fjalë janë rreth 10 shtëpi të kërcënuara seriozisht. Ndërkohë, forcat e ushtrisë po vazhdojnë punën me mjete të rënda për të copëzuar sa më shumë bunkerë. Gjithsesi, bunkerët po përdoren për t’u mbrojtur, jo në një betejë lufte, por në betejën me ujin.
#