Shkëmbim zjarri në mes të rrugës, dy të plagosur
Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një shkëmbimi zjarri mes tyre, ndërkohë që njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, në rrugën kryesore të fshatit Bushat, në vendin e quajtur kthesa “Rranza Bushat”. Sipas dëshmitarëve okularë, dy automjete që lëviznin në drejtim të njëra-tjetrës, kanë shkëmbyer zjarr për disa minuta. Për pasojë kanë mbetur të plagosur Sandër Rrotani, 40 vjeç dhe Dedë Laca 55 vjeç, ky i fundit i njohur ndryshe në zonë me emrin Tush Gaci. Dy personat në fjalë kanë plagosur njëri-tjetrin gjatë shkëmbimit të zjarrit. Laca ka marrë plagë të rënda dhe aktualisht ndodhet në gjendje kritike për jetën. Sipas policisë, dyshohet se në ngjarje janë përfshirë edhe disa persona të tjerë, të cilët kanë qenë prezentë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por që kanë mundur t'i largohen policisë së bashku me automjetet e tyre. Po sipas policisë mësohet se sherri mes dy palëve ka nisur një natë më parë në një lokal nate të zonës, ku palët janë konfliktuar pas një debati banal.
#