E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet rruga nacionale në Moglicë, izolohen 2000 banorë

Mbyllet rruga nacionale që lidh Korçën me Gramshin dhe Skraparin. Përgjatë gjithë aksit nacional që nis nga Maliqi, Lozhani dhe deri në Moglicë, rruga është bërë pothuajse e pakalueshme si pasojë e shembjeve dhe çarjeve të asfaltit.

Por nëse deri në afërsi të Lozhanit mjetet mund të kalojnë me vështirësi, rruga është plotësisht e bllokuar dhe e pakalueshme për mjetet nga Lozhani në Moglicë dhe më tej drejt Gramshit dhe Skraparit, duke paralizuar çdo lëvizje në këtë aks nacional. Shkarjet masive të dheut dhe formacioneve shkëmbore kanë çuar në izolimin e zonave që kanë humbur çdo mënyrë komunikimi rrugor.

Tashmë për të qarkulluar në këtë aks, udhëtarëve u duhet të përdorin dy mjete, një për të shkuar deri në afërsi të zonës së shkatërruar nga shembjet dhe një për të vazhduar rrugën pas kalimit me këmbë të urës së Popçishtit.

Kjo urë është shembur nga rrëshqitja e masiveve dhe një nga shpatullat e saj ka pësuar një çarje prej 3 metrash, duke e bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve mbi të. Dëmtimi i rrugës dhe shembja e urës ka shkaktuar izolimin e disa fshatrave.

Shembjet dhe erozioni kanë lënë të izoluar të paktën dymijë banorë të zonës së Moglicës, duke paralizuar çdo lëvizje në këtë aks.

Sipas specialistëve që kanë kryer matjet në zonë, pranë urës së Popçishtit ka rrëshqitje të vazhdueshme dherash, që avancojnë gjithnjë e më shumë dhe rruga është e rrezikshme edhe për udhëtarët që kalojnë më këmbë pjesën e shembur për të dalë në anën tjetër.

Kryetari i Komunës së Moglicës, Agron Matraku, ka vënë alarmin për situatën e krijuar duke kërkuar një ndërhyrje emergjente, ndërkohë që qarkullimi është bllokuar që prej ditës së hënë. Matraku thotë se problem kryesor në këtë situatë mbeten rastet e emergjencave shëndetësore, pasi banorëve nuk mund t’u vihet në ndihmë me transportimin e tyre drejt spitaleve.

Rrëshqitja dhe shembja e urës ka nisur ditën e hënë kur janë vërejtur edhe çarjet e para më pas nga avancimi i erozionit rruga është çarë dhe është bërë e pakalueshme. Një ekip specialistësh dhe inxhinierë të Drejtorisë së Rrugëve, si dhe shefi i Shtabit të Emergjencave Civile kanë kryer inspektime në zonë duke e shpallur krejtësisht të bllokuar dhe pothuajse të pamundur për të ndërhyrë për momentin për shkak të formacionit të madh të përfshirë nga erozioni.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›