36 kartonë të kuq
Një rrahje masive mes futbollistëve kundërshtarë nuk është episod i pazakontë në fushat e futbollit. Ajo që ndodh rrallëherë, e që para këtij rasti nuk kishte ngjarë kurrë, janë 36 përjashtime të futbollistëve, siç ndodhi gjatë ndeshjes së fundjavës së shkuar në divizionin e pestë të Argjentinës, mes Claypole dhe Victoriano Arenas.
Arsyeja? “Rrahje e përgjithshme”, kështu e përshkroi gjyqtari kryesor Damien Rubino, i cili vendosi të përjashtojë të gjithë futbollistët e të dyja ekipeve, së bashku me zëvendësuesit.
Mirëpo, pasi përcolli xhirimet e asaj që kishte ndodhur, Gjykata Sportive ka detyruar gjyqtarin të modifikojë vendimet dhe të zbusë kartonit e kuq për vetëm 7 futbollistë. Pas 90 minutave të përshkruar në ndërhyrje të shpeshta dhe dy përjashtime për lojë të rrezikshme, sinjalizimi për përfundimin e takimit dhe fitoren 2-0 për Claypole, solli incidentin.
Gjithçka filloi kur Rodrigo Sanchez, futbollist i Victorianos, filloi të grindej me trajnerin e tij, Carlos Torino, e më pas u përcoll nga shpërthim i dhunës që përfshiu të gjithë 22 futbollistët në fushë së bashku me rezervistët. Gjyqtari Rubinio i përjashtoi të gjithë.
“Ka bërë një marrëzi. Ai mori një vendim të rëndë”, tha presidenti i Victorianos, Domingo Sganga, sipas të cilit, “shumë prej futbollistëve nuk kanë ngritur asnjëherë duart dhe u munduan të qetësojnë shpirtrat duke ndalur bashkëlojtarët”.
“E tani kë do ta aktivizojmë në fushë në javën e ardhshme”, pyetej Sganga. Por, në ndihmë i ka dalë Gjykata Sportive, që ka bindur gjyqtarin Rubino të reduktojë numrin e të përjashtuarve në 7 (4 nga Victoriano dhe 3 të Claypole).
Çmimin më të shtrenjtë e pagoi Rodrigo Sanchez, i cili është dënuar për 7 ndeshje. Për të gjetur një episod të ngjashëm, nuk ka nevojë të kthehemi shumë prapa në kohë. Në mars të vitit të kaluar, gjatë ndeshjes së divizionit të katërt mes Barracas dhe Lamadridit u përjashtua e tërë skuadra mysafire, pasi kishte lëshuar fushën e lojës, si rezultat i kacafytjes me tifozët kundërshtarë.