E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veç Prishtina e Hysi

Pas një pauze të gjatë, stinori pranveror në Superligë do të nisë të dielën. Njohësit e futbollit kosovar mendojnë se vetëm Prishtina dhe Hysi janë kandidatë për titull. Sipas tyre, ekipet nga mesi i tabelës do të përfshihen në luftë për mbijetesë. Nga Driton Berisha driton.berisha@gazetaexpress.com më 05 mars 2011 në ora 13:46

Pjesa e dytë e kampionatit në Superligën e Kosovës në futboll do të startojë të dielën. Pranvera pritet të jetë interesante në garën për titull, e veçanërisht në atë për mbijetesë.

Njohësit e futbollit kosovar mendojnë se kandidatë serioz për titull do të jenë lideri i Superligës, Prishtina dhe përcjellësi Hysi. Ndërsa sipas tyre, skuadrat nga mesi i tabelës e do të jenë të përfshira në luftë për mbijetesë.

Ish-trajneri i Prishtinës dhe Trepçës ’89, Afrim Tovërlani mendon se skuadra në vendin e tretë (Besa) nuk do të ketë gjasa të inkuadrohet në garë për titull, pasi është 13 pikë larg liderit.

“Mendoj se në garë për titull janë vetëm dy skuadra, Prishtina dhe Hysi. Nuk besoj që i treti ka gjasa të inkuadrohet në luftë për titull. Ndërsa ekipet nga vendi i shtatë e deri në fund të tabelës, asnjëri nuk e ka të sigurt mbijetesën, pasi diferenca e pikëve është e vogël”, ka thënë Toverlani për Express.

Edhe Arbnor Morina mendon Prishtina dhe skuadra që e udhëhoqi deri para një jave, Hysi do ta kenë fjalën kryesore në garë për titull.

“Ato ekipe që kanë luftuar për titull gjatë vjeshtës do të jenë kandidatë për t’u stolisur me titull kampioni. Ndërsa nga vendi i pestë e deri në fund mendoj se do të jenë në garë për mbijetesë”, ka theksuar ish-trajneri i Kosovës dhe Hysit, i cili nuk pret shumë nga stinori pranveror.

Ndërsa Erdogan Celina mendon se Prishtina është favoriti kryesor për titull. Sipas ish-trajnerit të Lirisë, skuadra e Hysit dhe Besës janë ekipet që do t’i sfidojnë bardhekaltrit gjatë pranverës.

“Pa dyshim, Prishtina është favorit kryesor, por nuk duhet harruar Hysin dhe Besën që mund të përzihen në garë për titull. Ndërsa lufta për mbijetesë do të jetë shumë interesante. Përveç katër skuadrave të para, të tjerat mendoj se janë të rrezikuara”, u shpreh Celina.

Disa klube kishin kërkuar nga Komisioni i Garave i FFK’së që xhiron e 18’të ta shtyjnë edhe për një javë për shkak të motit të lig dhe fushave të vështira për lojë, por kjo kërkesë u refuzua.

Superliga – xhiroja e 18’të

E diel
Trepça 89-Liria
Trepça-Hysi
Ferizaj-Besa
Flamurtari-KEK-u
Ballkani-Vëllaznimi

E mërkurë
Drenica-Prishtina
Të gjitha ndeshjet zhvillohen në ora 14:00

TabelaNd. Dif.Pikë
1. Prishtina171839
2. Hysi171633
3. Besa17926
4. Liria17526
5. Trepça17224
6. Trepça ’8917-222
7. KEK-u17-322
8. Flamurtari17-320
9. Drenica17-319
10. Vëllaznimi17-1019
11. Ballkani17-616
12. Ferizaj17-2313

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›