E Hënë, 2 Nëntor 2026

36 trafikantë çonin kinezë në Itali nga Shqipëria

20/05/2005  Arrestohen në Itali. Telefonata në konsullatë për të aplikuar për vizë zbuloi rrjetin

Policia italiane ka zbuluar dhe goditur dje në qytetin e Pratos, një rrjet shqiptaro-kinez të trafikimit ndërkombëtar të qenieve njerëzore. Lajmi është publikuar dje nga mediat italiane, të cilat kanë cituar policinë vendase, që ka pohuar se është zbuluar një lidhje mes grupeve kriminale kineze me ato shqiptare, që e ushtronin aktivitetin e tyre në vendin fqinj. Sipas poolicisë italiane, bashkëpunimi mes grupeve kriminale ka në qendër tregtinë e klandestinëve kinezë. Operacioni ka nisur pas një përgjimi bisede telefonike të një shqiptari.

Operacioni

Policia italiane ka konstatuar se një shqiptar fliste me telefonin e një shtetasi kinez me Konsullatën shqiptare në Itali. Shqiptari i ka kërkuar ambasadës shqiptare informacione për vizë. Menjëherë policia ka identifikuar personat e dyshuar si organizatorë dhe anëtarë të kësaj bande të trafikimit ndërkombëtar të qenieve njerëzore. Ndërkaq, gjatë aksionit të policisë kanë rënë në pranga 26 persona, të gjithë shtetas kinezë. Ndërsa policia ka skeduar si bashkëpunëtorë të dyshuar të kinezëve 10 shqiptarë, ndaj të cilëve po punohet për sigurimin e provave materiale.

Trafiku

Sipas policisë italiane, ky rrjet trafikonte kryesisht klandestinë kinezë. Itinerari i klandestinëve kinezë ishte nga Kina në Greqi-Shqipëri dhe më pas si pikëmbërritje Italia. Grupet kineze të klandestinëve sekuestroheshin nga bandat shqiptare dhe mbaheshin disa javë të mbyllur në vendstrehime të fshehta në vendin tonë. Më pas, ata dërgoheshin në Ankona ku kalonin kundrejt shumave të paracaktuara, për llogari të grupeve kriminale kineze. Këta të fundit i shfrytëzonin klandestinët bashkëkombas si skllevër. Policia italiane ka pohuar se grupi kriminal kinez merrej edhe me grabitje, sekuestrim personash kundrejt gjobave, kërcënime etj. Gjithë këto krime, ata i kundërvinin në kurriz të bashkëkombasve të tyre me rezidencë në Itali, kanë përfunduar autoritetet e policisë vendase.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›