Avokati, Salla është me kartelë që nga viti 1998
20/05/2005 TIRANË – Ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor për gjashtë të pandehur nga Lushnja dhe Elbasani, të cilët në bashkëpunim, akuzohen se trafikuan për qëllime fitimi Marsela Ukun. Por pikërisht në momentin që akuza është pregatitur për të kërkuar masën e dënimit, avokati i të pandehurit Idriz Salla, pretendon se ka gjetur një provë të fortë. Dje avokati tha se ka në dorë një dokument, me anë të të cilit vërteton faktin se klienti i tij Salla, që nga viti 1998 njihet si person me të meta mendore. Këtë, avokati thotë se e vërteton me anë të një dokumenti të shkruar dhe të firmosur nga mjekët specialistë. Idriz Salla njihet nga akuza si protagonist i blerjes së femrave, që më vonë i dërgonte në Greqi për të punuar si prostituta. Ashtu si dhe shokët e tjerë bashkëvuajtës, Salla është akuzuar nga Marsela Uku. Idriz Salla është bashkuar me grupin nga Lushnja në bazë të njohjeve që ka patur me shtetasin Klodjan Çela, edhe ky i pandehur në bashkëpunim. Të pandehurit e tjerë janë Bledar Ahmetaj, Luan Çela. Janë pikërisht këta persona, që në fillim të shtatorit 2004, pasi e kanë mbajtur për disa ditë të mbyllur Ukun, janë munduar të gjejnë rrugët e dërgimit të saj në Greqi.
A.Çuka
A.Çuka