E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nëna e Skëndos, kallëzim penal për gjyqtarin Aliaj

20/05/2005  Nëna e Erjol Skëndos, djalit 21-vjeçar që u plagos në vitin 2003 e më pas u kallëzua për krimin e vjedhjes nga gjyqtari Petrit Aliaj, i është drejtuar Prokurorisë. "Më arrestoi djalin pa të drejtë. Nuk mund t'ia fal. Dua që të ndiqet penalisht. Të përgjigjet për plagosjen e djalit dhe për dhënien e dëshmisë së rreme". Për këto dy akuza, që prej një muaji, në prokurori është bërë kallëzim penal ndaj ish- gjyqtarit të Sarandës, Petrit Aliaj. Aliaj u shkarkua nga detyra menjëherë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda dha pafajësi për Erjol Skëndon. Vendimi i gjykatës bëri fajtor Petrit Alinë për gjithçka të thurur kundër Skëndos. Ndërkohë që familja e të pandehurit Skëndo kërkon përshpejtimin e procedurave në lidhje me ndjekjen e ish–gjyqtarit. Është ky gjyqtar që e plagosi të pandehurin Skëndo dhe më pas e dërgoi për kurim në spital. Për të dalë i pastër nga plagosja, gjyqtari shfrytëzoi postin, duke e akuzuar djalin sarandiot për veprën e vjedhjes. Por saktësisht, gjyqtari nuk ka përcaktuar se çfarë do të grabiste i pandehuri dhe ku ka qenë në momentin që është plagosur. Nga ana e tij, 21-vjeçari është shprehur se ka rënë pa ndjenja 200 metra larg shtëpisë së gjyqtarit. Vetë i pandehuri është shprehur se gjyqtari Petrit Aliaj, e ka ngatërruar kur ka qëlluar. Mësohet se gjyqtari në momentin që ka qëlluar me pistoletën e shtetit të pandehurin, ka qenë në makinë me vajzën. Erjol Skëndo, tha para gjykatës se, gjyqtari e ngatërroi me të dashurin e vajzës.

A.Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›