Vuçeta përballet në gjykatë me pamjet filmike
20/05/2005 TIRANË – Gjykata e Krimeve të Rënda ka parë në video dje provën e drejtpërdrejtë, ku i pandehuri Sokol Vuçeta shihej qartë në momentin kur i kundërshtonte policisë me armë. Kaseta filmike u sigurua nga ana e policisë së Shkodrës, e cila më 29 prill 2004, përveçse u ndodh përpara një fakti të rëndë, pati mundësinë të regjistronte gjithçka. Me këtë provë, Prokuroria arriti t'i tregojë gjykatës se i pandehuri ka qëlluar në drejtim të policisë dhe nuk ka ndodhur e kundërta, që pretendon mbrojtja. Sokol Vuçeta, në 29 prill të vitit 2004, iu përgjigj me zjarr thirrjes së policisë, që vajtën në shtëpi për të ekzekutuar vendimin e gjykatës pas caktimit të masës së sigurimit burg pa afat. Nga informacionet, policia zbuloi se Sokol Vuçeta ndodhej në banesën e tij. Kështu, policët Astrit Ago, Eduard Rusta, Pjerin Lazi, Nik Çudi, Paulin Zhibani dhe Çesk Kaçi, morën detyrën për të ndaluar të pandehurin. Sapo mbërrijnë në banesën e të kërkuarit, policia troket në derë dhe lajmërojn se kanë ardhur për të ekzekutuar vendimin e gjykatës. Nga brenda derës është ndier zhurma e mbushjes së armës. Policët menjëherë janë larguar nga dera nëpër shkallë.