Tutorët në Apel, Prokuroria kundërshton
20/05/2005 TIRANË – Nuk janë dakord me masën e dënimit dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, të pandehurit Kreshnik Mazreku dhe Agim Kabashi, akuzuar për trafik të femrave për prostitucion. U deklaruan fajtorë dhe si përfundim u dënuan të dy së bashku me 32 vite burg. Kundër këtij vendimi, që u është dukur i padrejtë, kanë apeluar tek Apeli i Krimeve të Rënda. Por, paralelisht me mbrojtjen, ka bërë kundërankim edhe Prokuroria, e cila nuk është aspak dakord me ta. Të pandehurit u deklaruan fajtorë, pasi trafikuan në Angli shtetasen Agime Isaku, e cila më pas u mundua t'i mbrojë. Dërgon prej andej një padi kundër Kabashit, duke deklaruar se po punonte si prostitutë në favor të tij. Në fund të padisë ishte një shkrim dore. Por pas disa kohësh, vajza e dëmtuar pranon të martohet me tutorin e saj dhe deklaron se ka edhe një djalë me të. Për të shpëtuar tutorin nga burgu, paraqitet për të dëshmuar. Nuk pranon të ketë bërë asnjë kallëzim. Është shprehur se shkrimi në padi nuk është bërë prej saj dhe se me Agim Kabashin është e martuar në Angli. Pretendon se ka ikur para katër vitesh dhe ka bashkëjetuar me të, ndërsa tani është martuar.