Kryeministria nuk ka paraqitur ende dokumentet për hetimet
16/12/2004 Komisioni Hetimor parlamentar për prokurimet e bëra nga ministrat që prej vitit 2002, që prej 20 ditësh nuk po arrin të sigurojë dokumentacionin nga Kryeministria për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve. Sipas kryetarit të këtij komisioni, Ilir Bano, institucionit të Kryeministrisë i ka shkuar kërkesa për dorëzimin e dokumenteve të prokurimeve që prej tre javësh, por nga ana e saj deri tani nuk është kthyer asnjë përgjigje. Kjo ka shfaqur shenja të dukshme të mungesës së transparencës nga ana e Kryeministrisë. Sipas anëtarëve të komisionit, dokumentacioni i servirur nga Kryeministria është baza për ecjen përpara të punës së tij, dhe për nxjerrjen e të dhënave përfundimtare nga ekspertët. "Por, pavarësisht se kemi çuar kërkesën dhe bashkangjitur edhe listën e dokumenteve, nga ana e Kryeministrisë nuk na është kthyer asnjë përgjigje", thotë Bano. Tashmë ka nisur mbledhja e dokumentacioneve prej ministrive të ndryshme. Komisioni përbëhet nga 11 deputetë, nga të cilët pesë prej tyre, së bashku me kryetarin, janë deputetë të opozitës, ndërsa gjashtë të tjerët i takojnë mazhorancës. Komisioni është ngritur më datë 19 nëntor, pas kërkesës të një grupi deputetësh opozitarë, ku kërkohej zbardhja e procedurave të tenderave që nga muaji janar i vitit 2002 deri në vitin 2004 në të gjitha ministritë. Grupi nismëtar i deputetëve të opozitës, që kanë firmosur për ngritjen e tij, e kanë arsyetuar kërkesën e tyre me shkrimet në media dhe nga deklaratat e BE-së, që, sipas relacionit të paraqitur, tregojnë për abuzime me fondet publike dhe përfitime direkt të ministrave apo të të afërmve të tyre. Sipas demokratëve, procedurat e tenderave në periudhën 2002-2004 janë karakterizuar nga mungesa e transparencës, përmes prokurimeve të drejtëpërdrejta, dhe me një klientelë të kufizuar të bizneseve. Puna e këtij komisioni, sipas burimeve, pritet të fillojë brenda dy javëve të ardhshme, sapo dokumentacioni përkatës të mbërrijë në tryezën e ekspertëve.