E Diel, 1 Nëntor 2026

38 mln euro kredi nga BB për Asistencën Sociale

Marrëveshja u nënshkrua nga kreu i Financave, Ridvan Bode, dhe përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Kseniya Lvovsky. Objektivi i këtij projekti, është të mbështesë agjendën e reformave të qeverisë për përmirësimin e barazisë, eficiencës dhe transparencës së programeve të asistencës sociale.

Projekti do të fokusohet kryesisht në programin e Ndihmës Ekonomike dhe atë të Asistencës për paaftësinë. Projekti synon në përmirësimin e barazisë përmes përmirësimit të targetimit, përkatësisë dhe mbulimit për të dy programet Ndihmës Ekonomike dhe atë të Asistencës për paaftësinë, për të siguruar që financimet u drejtohen atyre që kanë më shumë nevojë. Sistemi aktual i asistencës sociale ka nevojë të modernizohet dhe automatizohet në mënyrë që të përmirësojë eficencën e programeve.

Kjo do të ndihmonte administrimin më të mirë të asistencës duke identifikuar dhe shmangur gabimet e abuzimet. Gjithashtu do të ndihmonte qeverinë në marrjen e vendimeve të informuara dhe në kohën e duhur. Projekti do të mbështesë edhe përmirësimin e transparencës, që lidhet me drejtime kryesore të reformës përmes komunikimit proaktiv, sistemeve të modernizuara të informacionit dhe rritjen e qartësisë mbi “rregullat, rolet dhe kontrollin.”

“Projekti i Modernizimit të Asistencës Sociale do të kontribuojë në pakësimin e varfërisë dhe cënueshmërisë përmes shërbimeve me të efektshme të asistencës sociale dhe do ta ndihmojë Shqipërinë të zbusë efektet e krizës së vazhdueshme në eurozone” tha përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri./Start/

                                                                                             2012-06-06 14:40
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›