"4 Krishtlindje" gëzuar në Tiranë!
Jo një, as dy, madje as tre, por plot 4 Krishtlindje brenda një dite të vetme. Kështu është i detyruar të festojë ditën e Krishtlindjeve një çift amerikan. Kejt dhe Bred janë të lumtur, ndonëse akoma të pamartuar. Pushimet e Krishtlindjeve i kishin parashikuar të nxehta. Mjegulla iu prish planet dhe rrethanat i detyrojnë ata që t‘u kthehen vizitave tradicionale festive te prindërit e tyre. Festa bëhet më stresuese, pasi prindërit e çiftit janë të divorcuar dhe kanë krijuar secili familje të reja. Kështu, dy të rinjtë përfundojnë për t‘u takuar jo vetëm me prindërit, por edhe me burrat e gratë e tyre, fëmijët e nipërit e gjetur gjithashtu. Në këtë mënyrë çifti do të përballet me frikërat e tij për të rihapur plagët e adoleshencës, apo të vihet përpara dilemës për martesën dhe fëmijët. Ndërsa Bred numëron minutat në familjen e tij, Kejt fillon të shikojë realitetin me një sy tjetër dhe të pyesë veten nëse zgjedhjet e çmendura të familjarëve të saj janë me të vërtetë të çmendura. Ky është subjekti i komedisë familjare, e cila duket se ka qenë mjaft e preferuar për publikun e huaj, e po kështu duket edhe pas tri ditësh nga premiera për publikun tiranas. "Four Christmases" vjen me regji të Seth Gordon e skenar të Matt Allen dhe Caleb Willson. Interpretojnë aktorët: Vince Vaughn, Reese Witherspoon, Robert Duvall, Sissy Spacek, Jon Voight dhe Jon Favreao.