E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurohen në Bylis objekte të qytetit antik

Gjatë këtij viti përfundoi në parkun e qytetit antik të Bylisit në Mallakastër zbatimi i projektit për restaurimin dhe konsolidimin e dyshemesë me mozaik, në bazilikat B, E dhe hapja e dyshemesë në bazilikën C, ndërsa është në proces zbatimi i projektit për restaurimin dhe konsolidimin e dyshemesë me mozaik në bazilikat A dhe D, si dhe restaurimi i magazinës me pitosa në kompleksin peshkopal. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve financoi gjatë vitit 2008 rreth 3 milionë lekë për realizimin e 9 projekteve për restaurimin e objekteve të ndryshme në qytetin antik ilir të Bylisit. Pas restaurimit të këtyre objekteve janë prokuruar dhe ka nisur puna për restaurimin në termën romake pranë bazilikës C dhe në banesën romake, pranë banesës B. Sipas drejtorit të Parkut Arkeologjik Kombëtar të qytetit antik të Bylisit, ky i fundit është ndër të vetmet qytete të ndërtuar nga vetë ilirët. Ai është simboli i forcës së zhvillimit dhe qytetërimit ilir në shekullin e tretë para Krishtit. Bylisi është ndërtuar në kodrat e Mallakastrës, rreth 7 km larg qytetit të Ballshit, në drejtimin jugor, në një pozicion dominues mbi luginën e lumit Vjosë, duke krijuar imazhin e një ballkoni natyror. Ai përfshin brenda vetes një territor rreth 10 hektar. Në muajin korrik 2006 qeveria shqiptare e shpalli Bylisin Park Kombëtar Arkeologjik, çka hapi rrugën për rehabilitimin e shumë monumenteve të tij, që shkatërroheshin nën efektet e agjentëve atmosferikë, apo nga dora e njerëzve të pandërgjegjshëm. Tashmë, me masat mbrojtëse për territorin dhe monumentet e qytetit të Bylisit, si dhe investimet për restaurimin e objekteve, po nxjerrin në dritë shkëlqimin e dikurshëm të qytetërimit ilir. Gjatë vitit 2008, në Bylis u rrit edhe numri i vizitorëve në rreth 6800 veta, thuajse dy herë më shumë se në vitin 2007.

Drejtoria e Parkut Kombëtar Arkeologjik të Bylisit ka gati disa projekte për mbrojtjen dhe jetësimin e disa monumenteve nga degradimi, për ta bërë dita ditës më të vizitueshëm qytetin antik për vizitorët vendas e të huaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›