E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 deputetë socialistë solidarizohen me grevistët

Jeta e gjatë në politikë, ngjarje të kaluara që i lidhin apo beteja të fituara së bashku kanë qenë ndoshta arsyet që kanë sjellë solidarizimin e disa deputetëve të Partisë Socialiste për grevën e urisë së 11 deputetëve, kolegë të LSI-së. Pandeli Majko, Bashkim Fino, Besnik Dervishi e Elmaz Sherifi braktisën dje mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe shkak është bërë hyrja në grevë urie e një prej anëtarëve të këtij komisioni, Spartak Braho, një ish-socialist që iku bashkë me Metën në 2004-ën. Pavarësisht qëndrimit të prerë të lidershipit socialist për të mos lëshuar pe ndaj kërkesave të grevistëve apo indiferencës së kryetarit socialist, Edi Rama, për aktin e tyre, ka disa deputetë të grupit parlamentar që solidarizohen dhe e mbështesin me akte si ai e djeshmi aktin e kolegut të tyre. Komisioni mori në shqyrtim projektligjin për gjykatat administrative, por anëtari i opozitës në këtë komision, Pandeli Majko, kërkoi shtyrjen e shqyrtimit të tij deri sa të vijë Spartak Braho, meqë ai është përcaktuar relator i saj. Por kryetari i këtij komisioni, Ilir Rusmali, deklaroi se e ka marrë përsipër të bëjë vetë relatorin e këtij projektligji, pasi ka komunikuar me deputetin Braho dhe ai ia ka kaluar atij këtë të drejtë. Por duket se pretendimi i Rusmalit për të vazhduar punën i qetë duket se nuk e ka kënaqur Majkon, i cili është shprehur se duhet të kemi respekt për vendimin e kolegëve. “Na pëlqen apo nuk na pëlqen, juve apo neve, duhet të kemi respekt për zgjedhjen e tyre”. Pas kësaj, Majko dhe tre deputetë të tjerë, Dervishi, Sherifi dhe Fino, janë ngritur për të dalë jashtë sallës së Komisionit të Ligjeve, megjithëse anëtarët e komisionit që i përkasin opozitës nuk ishin që të gjithë dhe mbetet ende në diskutim nëse ky largim do të ishte i plotë. Në sallë mungonte deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, një prej bashkëhartuesve të Kodit Zgjedhor, dhe ligji i ri është arsyeja që çoi deputetët drejt grevës së urisë.

Reagimi i katër deputetëve duket krejtësisht spontan dhe personal, pasi pjesa tjetër e partisë, drejtues e deputetë, janë munduar që të fshehin mendimet e tyre në lidhje me këtë çështje. Nga ana tjetër, selia rozë nuk ka mbajtur asnjë qëndrim mbi grevën e urisë dhe ata janë të akuzuarit kryesorë për Kodin e ri Zgjedhor. Pak ditë më parë, i pyetur për paralajmërimin e bërë nga LSI-ja e PDK-ja, Rama u tregua indiferent, duke deklaruar se për rolin e PS-së në bërjen e reformës zgjedhore flet progres-raporti i KE-së, por tanimë greva është një fakt i kryer dhe nëse nuk ka një qëndrim zyrtar, mbetet që deputetët që e shohin të drejtë atë të shprehin qëndrim personal. Dalja e vetme publike e Ramës ishte në qytetin e Lushnjës në kuadër të turit, por nuk është përmendur asgjë për grevën e urisë të kryesuar nga ish-aleati i tij, Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›