E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët: Po na sabotojnë

Dita e parë e grevës së urisë së 11 deputetëve ka nisur me incidente mes grevistëve e punonjësve të Gardës së Republikës. Shkak i përplasjeve mes deputetëve që janë ngujuar në sallën kryesore të Kuvendit që nga mbrëmja e para dy ditëve, është një aparat që sipas tyre bllokon valët telefonike. Sipas grevistëve dhe përfaqësuesve të dy partive që ndodhen jashtë oborrit të Parlamentit, aparatura është vendosur qëllimisht që të mos ketë asnjë kontakt. Ata thonë se sallës i është hequr sistemi i ngrohjes, është bllokuar interneti, ndërsa uji vjen me ndërprerje. Por jo vetëm kaq, dje në orët e para të paradites zëdhënësi i kësaj greve, deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, ka tentuar të hyjë në sallë për të pyetur se si ishte gjendja e grevistëve, por nuk është lejuar nga Garda. Pak kohë më vonë, një prej deputetëve të PDK-së që ndodhej në grevë, ka dalë jashtë sallës për të mundësuar hyrjen e Dritan Priftit, por më pas nuk është lejuar që të kthehet sërish brenda, çka do të thotë se tanimë në sallë janë vetëm 10 deputetë që vazhdojnë grevën. Vetëm rreth orës 11 të paradites, kur deputetët arritën të gjenin se ku ndodhej aparatura, gjithmonë sipas deklarimeve të tyre, që bllokonte valët e telefonave celularë, kanë pasur kontaktet e para me përfaqësuesit e tyre që qëndronin jashtë oborrit, mediat dhe familjarët. Ishte vetë kryetari i kësaj greve, Ilir Meta, që zhvilloi disa biseda telefonike me disa media ku konfirmoi se në sallë është hequr ngrohja, që deputetët nuk kanë pasur ende asnjë shqetësim shëndetësor, për ekzistencën e aparaturës që bllokonte valët e telefonit, heqjen e internetit etj. Ndërsa nga brenda nuk kishte asnjë kontakt, jashtë oborrit të Kuvendit, LRI-ja dhe mbështetës të saj zhvilluan protesta për tri orë rresht për t’i rinisur sërish në orët e pasdites deri në orët e mbrëmjes. Spartak Ngjela, Gilman Bakalli, Andrea Stefani, Fiqiri Xibri, Dritan Prifti, Luan Memushi, Erisa Xhixho etj. kanë mbajtur fjalime për orë të tëra para Kuvendit. Rreth orës 15:00 deputetët dhe përfaqësuesit e dy partive, LSI e PDK, njoftuan se në sallë ka pasur konfrontime deri edhe fizike mes grevistëve dhe Gardës. Sipas tyre, është instaluar sërish aparatura që bllokon valët e telefonit, ndërsa sipas sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, tanimë punonjësit e Gardës, pas urdhrave të marra nga lart nuk i lejojnë më deputetët të lëvizin nëpër sallë. Ndërkohë që dje asnjë media nuk ka mundur të hyjë brenda për të filmuar apo parë situatën. Publikisht, ekzistojnë dy foto të bëra me celular, ndoshta që mbrëmjen e dy ditëve më parë, ku tregohet se protagonistët e grevës janë të ulur në karriget e sallës, duke biseduar me njëri-tjetrin, jo të shtrirë apo të mbuluar me batanije.

Braho e Tola, probleme me tensionin, ambulanca bllokohet disa orë

Rreth mesditës, dy deputetë, Ymer Tola dhe Spartak Braho, patën problemet e para shëndetësore. Që nga brenda ata kërkuan ndihmë mjekësore. Ambulanca mbërriti në hyrjen kryesore të Kuvendit, përballë selisë së ish-të përndjekurve ku protestonin mbështetësit e dy partive, por nuk u lejua që të hynte brenda nga ana e Gardës së Republikës. Kjo acaroi së tepërmi protestuesit dhe drejtuesit e saj ashpërsuan gjuhën, duke bërë akuza për drejtues fashistë e diktatorë. Sipas Lëvizjes Socialiste për Integrim, ambulanca është lejuar të hyjë për të parë gjendjen shëndetësore të deputetëve disa orë më vonë. Siç e konfirmoi edhe vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta, në kontaktin që pati rreth orës 11 e 30 të paradites, Tola dhe Braho kishin luhatje të forta tensioni.

LSI, padi penale për pajisjen që bllokon telefonat

Menjëherë pasi deputetët grevistë bënë të ditur se në mjediset e sallës së Kuvendit, në një prej lozhave është vendosur një aparat që bllokon valët e telefonit celular, nisën kontaktet e para me juristët e LSI-së, të cilët janë duke shqyrtuar mundësinë e një padie penale ndaj sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit apo Gardës së Republikës, megjithtë kjo do të vendoset në vijim. LSI-ja bëri të ditur se askush nuk ka të drejtë të bllokojë komunikimin e deputetëve grevistë me familjarët e opinionin publik. Madje kreu i LSI-së, pak para mesditës, theksoi se ajo është një ndër provat që do të përdoret për këtë padi.

Meta: Deputetë të PD-së e PS-së, mesazhe solidarizimi me grevën

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje në një bisedë telefonike nga brenda sallës së Kuvendit se gjatë orëve të para të grevës së urisë, ka marrë mesazhe solidarizimi nga deputetë të dy krahëve politikë, si dhe figura të njohura të tyre. Meta konfirmoi njëkohësisht se ka pasur kontakte edhe me përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë. “Nuk kemi kontaktuar me asnjë person nga asnjë parti, por kemi mjaft mesazhe konfidenciale solidariteti nga deputetë të të dyja partive dhe personalitete të tjera pranë tyre. Kemi pasur dhe disa kontakte edhe me përfaqësues diplomatikë”, - tha Meta. Kreu i LSI-së konfirmoi se çdo gjë po shkon normalisht, përveç të ftohtit që ka qenë i konsiderueshëm, për shkak të fikjes së sistemit të ngrohjes. “Por, ajo që ka na ka revoltuar së tepërmi, është një aparaturë, e cila u zbulua para gjysmë ore, e vendosur sot në mëngjes në mënyrë sekrete në një nga lozhat e Kuvendit. Kështu, për disa orë ne humbëm mundësitë për të komunikuar me të afërmit tanë, por edhe me opinionin publik, pasi na kishin humbur valët në aparatët tona celularë. Duke dyshuar për një aparat përgjimi dhe paralizim të komunikimit, më në fund ky aparat është zbuluar dhe është nën administrimin e deputetëve dhe pa dyshim do të dërgohet në momentin më të përshtatshëm dhe më të parë në prokurori, pasi është një veprim tërësisht ilegjitim”, - shtoi ai.

Ngjela: Vendi po hyn në krizë

Deputeti Spartak Ngjela është një prej mbështetësve të grevës së urisë së 11 deputetëve. Ai ishte dje i pranishëm në protestën që zhvillohej para Kuvendit. Gjatë fjalës së tij, Spartak Ngjela tha se vendi po hyn në krizë dhe për të mbrojtur votën e lirë nuk ka rrugë tjetër veç protestave. “Vendi po hyn në krizë dhe për të vendosur të drejtën legjitime të mbrojtjes së votës së lirë, nuk ka rrugë tjetër përveç pushtimit të shesheve nga qytetarët”, - tha ai. Ngjela theksoi se diktatura po dhunon dhe cenon votën e lirë, ndaj protesta duhet të shkojë deri në fund, pasi vota është e shenjtë. Ngjela, Gilman Bakalli e Luan Memushi janë ndër mbështetësit e kësaj greve urie.

Greva e urisë, nisin kontaktet e para me ndërkombëtarët

Nisja e grevës së urisë së 11 deputetëve të Parlamentit shqiptar kundër Kodit Zgjedhor që pritet të miratohet së shpejti, ka shkaktuar reagimet e para të disa ambasadave në vendin tonë. Dje pasdite, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, pati një takim në ambasadën italiane, ndërsa burime pranë kësaj partie konfirmuan se të gjitha ambasadat e akredituara në vendin tonë, por edhe shumë institucione të tjera ndërkombëtare në Bashkimin Evropian, janë informuar përmes një letre për aktin e grevës së urisë dhe arsyet të cilat çuan që 11 deputetë të hynin në të, ndërkohë që ngjarja ka pasur jehonën e vet, pasi shumë agjenci lajmesh të huaja, si AFP apo Ansa, kanë shkruar për të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›