Lohan: Duhet besim dhe konsensus mes palëve
Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, reagoi dje për sa i përket hyrjes në grevë të 11 deputetëve të Parlamentit shqiptar. Sipas Lohanit, problemi i Kodit në Shqipëri qëndron te mungesa e besimit që ekziston mes partive politike shqiptare. “Çështja e Kodit në Shqipëri është çështje besimi dhe konsensusi mes forcave politike dhe do të ishte mirë që zgjedhjet e ardhshme në vend të mos kontestoheshin”, - tha Lohani. Ai vërejti se do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë nëse arrihet një frymë besimi pasi kjo sjell moskontestimin e rezultatit zgjedhor në fund. "Çështja e Kodit Elektoral është një çështje besimi dhe kjo çështje ende mbetet problem mes partive politike në Shqipëri. Mendoj se do të ishte arritje për Shqipërinë nëse do të ekzistonte një klimë besimi mes forcave politike në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos kundërshtohen ne fund", - u shpreh Lohan. Deri më tani, pavarësisht një klime të acaruar politike, tanimë jo mes dy partive të mëdha, por mes tyre dhe partive të tjera politike që e kanë parë veten të përjashtuar nga Kodi Zgjedhor që sapo është përgatitur, ndërkombëtarët kanë bërë të qartë vetëm se duhet konsensus dhe klimë besimi mes palëve. Kjo u ka dhënë mundësi forcave politike që në emër të ndërkombëtarëve të bazojnë qëndrimet e tyre politike. Partia Socialiste thotë se ishte rekomandimi i OSBE-ODIHR-it që të reduktohej numri i anëtarëve të KQZ-së apo edhe strukturave të tjera të organizimit të zgjedhjeve. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, që është kontestuesja më e fortë e Kodit të ri Zgjedhor, thotë se gjatë një takimi që patën drejtues të kësaj partie më ambasadorin e OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosh, ai është shprehur për një formulë 8+1 të këtyre strukturave dhe jo 6+1, sikundër e kanë bërë dy partitë e mëdha. Megjithatë, pavarësisht qëndrimit të tyre që nxit palët për bashkëpunim, kur deklaratat e tyre nuk i pëlqejnë ndonjë force politike, herë pas here bëhen pre e sulmeve politike të tyre. Herë pas here, OSBE-ja është akuzuar si një prej faktorëve që ka certifikuar zgjedhje të pandershme për shkak të qëndrimit të saj parimor dhe jo këmbëngulës.