Mjaft: Bime të japë dorëheqjen
Lëvizja MJAFT i kërkoi dje kreut të Bashkisë së Gjirokastrës, z. Flamur Bime, të japë dorëheqjen, duke deklaruar se institucioni i tij dhe ai vetë janë përgjegjës për tragjedinë e pak ditëve më parë në këtë qytet. Sipas njoftimit të kësaj lëvizjeje, mësohet se MJAFT-i verifikoi në terren fakte që vërtetojnë njëanshmërinë e z. Bime si kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit Gjirokastër, për firmat e ndërtimit, të cilat janë në pronësi të të afërmve të tij dhe sidomos të kunatit të tij z. Zihni Isaraj. “Ankesat e vazhdueshme të qytetarëve nuk janë marrë kurrë parasysh nga bashkia dhe Z.Bime”, - tha në një konferencë për shtyp Aldo Merkoçi, aktivist i lëvizjes MJAFT. “Zëri i anëtarëve të tjerë të KRRT-së që kundërshtojnë për objekte të cilat paraqesin rrezikshmëri, nuk dëgjohet fare. Votat e tyre nuk përfillen pasi "dora" e z. Bime përbën shumicën absolute në KRRT”, - shtoi ai. Lëvizja MJAFT kërkoi kontrollin e menjëhershëm të të gjitha objekteve që paraqesin rrezikshmëri për jetët e banorëve në Gjirokastër dhe për të cilat ka ankesa të vazhdueshme. Bëhet fjalë për një qendër tregtare dhe ambiente banimi buzë rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë te ish-zona e Postbllokut me investitor "Boci SHPK", ku terreni është njësoj i rrëshqitshëm me terrenin në të cilin u rrëzua pallati 5-katësh dje. Lejet e ndërtimit të dhëna pa kriter buzë lumit Drino. Hapja e nyjës së qarkullimit pranë spitalit rajonal jashtë çdo kriteri dhe kushti teknik ndërtimi, me ankesa të vazhdueshme nga qytetarët. Betonizimi i të gjithë damarëve të sipërm të qytetit. Nga rrugët tradicionale me kalldrëm tani nuk ka më asnjë gjurmë. Ndërtimi i pallatit shumëkatësh pranë konviktit të djemve, pa zbatuar fare distancat dhe normat e lejuara, me investitor kunatin e z. Bime, z. Isaraj.