Oketa: Uzina e Mjekësit, me të gjitha kushtet e sigurisë
Uzina e lëndëve plasëse në Mjekës të Elbasanit është gati për të filluar procesin e demontimit të predhave të mortajës 160 milimetër. Këtë e bëri dje të ditur ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, gjatë një inspektimi përfundimtar të projektit të demontimit të predhave në këtë uzinë. Sipas tij, uzina plotëson të gjitha kushtet e sigurisë pasi inxhinierët kanë bërë të mundur instalimin e një linje moderne tejet të sigurt, e cila garanton në maksimum jetën, qoftë edhe të një individi. Oketa pohoi se projekti tashmë konsiderohet i nisur dhe brenda një jave mbyllen të gjitha procedurat burokratike. "Ky projekt financohet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes dhe në fillim të javës që vjen, zyrtarisht kjo linjë do të fillojë të punojë me kapacitet të plotë", - nënvizoi Oketa, duke shtuar se në këtë uzinë do të demontohen 10 tonë predha në ditë dhe më pas, me përfundimin e sasisë së predhave 160 milimetra, do të shihet mundësia për demontimin e predhave të një kalibri tjetër. Ministri Oketa porositi drejtuesit e uzinës për montimin e një linje të dytë, me qëllim që të rritet kapaciteti në 20 tonë në ditë. "Uzina e Mjekësit është një pikë shumë e sigurt, respektohen kushtet e sigurisë, që nga magazinimi i predhave në depo, e më pas deri në prerje në sharrë", - theksoi ministri i Mbrojtjes. Uzina ushtarake e lëndëve plasëse në Mjekës, e ndërtuar në vitin 1963, pas vitit 1990 nuk ka funksionuar më për prodhimin e lëndëve plasëse. Në vitin 2001 ajo u angazhua në demontimin e municioneve të tepërta që kishte vendi. Projekti i parë u realizua në vitet 2001-2002, kur u demontuan 1 milion e 600 mijë copë mina antinjeri. Me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes, uzina e lëndëve plasëse në Mjekës është angazhuar përsëri në ngritjen e një linje të re demontimi të predhave të mortajës 160 milimetra, një linjë e ngritur tërësisht me forcat e stafit të uzinës, me mbështetje të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Për kryerjen e këtij procesi, që do të nisë në fillim të javës që vjen, janë punësuar rreth 100 punëtorë.