4 korriku Basha uron Kryetarit te Bashkise se Washington DC
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i ka nisur një mesazh urimi, Kryetarit të Bashkisë së Washington DC, Vincent Gray me rastin e festës së Pavarësis.
“Me një kënaqësi të veçantë, dua t’Ju përcjell në emrin tim dhe të të gjithë qytetarëve të Tiranës, përshëndetjet më të përzemërta në këtë ditë të madhe të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit më të madh që kombi shqiptar ka njohur në tërë historinë e tij”, shkruhej në mesazhin e kryebashkiakut Basha.
Sipas tij, Deklarata e Pavarësisë, e nënshkruar më 4 korrik 1776 përbën një prej dokumenteve më të rëndësishëm, në të cilin janë sanksionuar të drejtat sublime të njerëzimit.
“Kjo deklaratë, ku janë mishëruar parime të përjetshme i bëri SHBA një shembull frymëzues dhe një mbrojtës të fortë të lirive dhe të drejtave të njeriut në çdo vend të globit, prandaj kjo ditë e Pavarësisë së SHBA është një ditë feste për ne dhe çdo qytetar të botës së lirë”, vlerësohej në këtë letër urimi.
Madje, në këtë kontekst, kryetari Basha rikujtoi dhe njëherë faktin se “qytetarët e Tiranës dhe mbarë kombi shqiptar u janë përjetë mirënjohës SHBA, për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që na kanë dhënë përgjatë gjithë historisë tonë, si kur diskutohej fati i ekzistencës tonë ashtu edhe më pas, në instalimin e parimeve të lirisë dhe demokracisë që ju mbroni fort apo në procese të tjera të zhvillimit të vendit dhe integrimit në strukturat euro-atlantike”.