Diplomacia ekonomike dhe nxitja e investimeve te huaja

Diplomacia ekonomike dhe roli i saj në nxitjen e investimeve të huaja dhe të diasporës shqiptare në vend kanë mbledhur në Tiranë në një aktivitet dyditor diplomatët shqiptarë. Aktiviteti i organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Migracionit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta u përqendrua tek nevoja e nxitjes së investimeve në vend nga komunitetet shqiptare jashtë dhe rolin që duhet të luajë diplomacia në këtë drejtim.
Ministri i Punës, Spiro Ksera u ndal në përpjekjet e qeverisë për promovimin e migrimit të rregullt përmes marrëveshjeve të punësimit me vende të tjera.
Zëvendësministri i Jashtëm, Selim Belortaja, vuri në dukje se diaspora në këto vite ka kontribuar në zhvillimin ekonomiko-social të vendit nëpërmjet remitancave, investimeve të kapitaleve të tyre si dhe nxitjes së investimeve me kapitale të huaja.