E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 mijë ha nga Adriatiku në liqenin e Shkodrës

28/02/2009  Kompensimi fizik i ish-pronarëve, qeveria publikon trojet shtetërore në bregdet

“Grupi ad-hock është në përfundim të procedurave edhe për 2 mijë ha të tjerë”

Grupi ad-hock i ngritur nga qeveria shqiptare ka identifikuar tashmë 4 mijë hektarët e parë në bregdet që do të përdoren për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Ndërkohë ky grup është në përfundim të procedurave të verifikimit edhe për 200 hektarë të tjerë në vijën bregdetare. Shifrat janë bërë të njohura dje gjatë një konference për shtyp nga zëdhënësja e qeverisë, njëkohësisht ministre e Integrimit, Majlinda Bregu.

Procesi

“Katër mijë hektarët e parë të identifikuar në Ultësirën Bregdetare të Adriatikut si dhe në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe Ohrit do të vihen në dispozicion të procesit të kompensimit të pronarëve”, - tha Bregu. Sipas saj, nga grupi ad-hock i ngritur për të identifikuar tokat publike në zonat turistike, të cilat do të përdoren për kompensimin e pronarëve, përveç 4000 ha tashmë të përvijuar, deri tani janë në përfundim të procedurave të verifikimit edhe 2000 ha të tjerë të mundshëm në vijën bregdetare të Shqipërisë. Bregu theksoi se në ditët që vijojnë do të konkretizohet një paketë e re aktesh nënligjore, në bazë të së cilës do të shpërndahen trojet për kompensim. Megjithëse e cilësoi çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave si një proces i vështirë, ajo shtoi se procesi nuk është i pamundur për këtë qeverisje. Në këtë kuadër, Bregu tha se kompensimi fizik, kompensimi në cash i pronarëve, kreditimi së fundi i 3000 familjeve që kanë zënë shtëpitë e pronarëve, bëjnë të mundur trajtimin si asnjëherë gjatë këtyre 18 vjetve të çështjes së pronësisë në Shqipëri. Duke iu referuar hapësirave që do të përdoren për kompensim, Bregu përmendi edhe identifikimin e 20 mijë hektarëve tokë bujqësore në qershor të vitit të kaluar. “Zgjidhja e këtij problemi është jo vetëm një detyrim absolut për kompensimin e shtresës së ish-pronarëve, jo vetëm një kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Europian, por ndihmon edhe në zhvillimin e ekonomisë si dhe në thithjen e investimeve në Shqipëri”, - tha zëdhënësja e qeverisë. Deklarata e Bregut në emër të qeverisë vjen disa ditë pasi Kryeministri Sali Berisha gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave paralajmëroi hartimin e një pakete të re aktesh ligjore mbi të cilat do të bazohet kompensimi fizik i ish-pronarëve me tokat shtetërore të identifikuara në bregdet. Ndërsa vlerësoi punën e bërë nga grupi ad-hock për identifikimin e tokave publike në zonat turistike për të kompensuar pronarët shqiptarë, Berisha tha se “ky është një detyrim absolut yni dhe pa këtë sipërmarrje, pa vënien në dispozicion të disa mijëra hektarëve tokë në troje turistike për ish-pronarët, ky proces nuk do të mund të marrë zgjidhje”. “Vetëm qendra e Tiranës, me çmimin e saj aktual dhe që pothuajse kudo ka pronarët e vet, përbën një bazë monetare aktualisht të papërballueshme, ndaj duhet të përdorim të gjitha mundësitë, dhe mundësia e parë më e madhe është t’u ofrojë pronarëve troje turistike”, - tha Kryeministri.

Berisha për kompensimin

Në brigjet turistike të deteve dhe liqeneve janë identifikuar mijëra hektarë dhe territoret për këtë qëllim janë bregu i Adriatikut, një pjesë e bregut jonian dhe dy liqenet: ai i Shkodrës dhe Pogradecit. Sikundër duhet të bëhet një shqyrtim edhe për zonën jashtë parkut kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës. Studimi ka avancuar shumë dhe po shkon drejt finalizimit. Sipërfaqet janë verifikuar me të gjithë dokumentacionin si troje publike.

Aktet ligjore

Pritet që brenda një kohe të shkurtër Këshilli i Ministrave të miratojë aktet e reja ligjore mbi të cilat do të bazohet ndarja e pronës shtetërore në bregdet, që do të përdoren për kompensimin fizik të pronës së ish-pronarëve. Harta e çmimeve është përfunduar dhe mbi bazën e atyre çmimeve do të mund të përdoret një sipërfaqe e madhe, që është identifikuar dhe verifikuar me të gjitha dokumentacionet se është sipërfaqe publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›